Gjykata e Apelit, dritën jeshile Trumpit: “Mund ta vendosësh Gardën Kombëtare në Portland”

Gjykata e Apelit në SHBA i jep dritën jeshile Presidentit Donald Trump për të vendosur Gardën Kombëtare në Portland, Oregon. Vendimi rrëzon pjesërisht ndalimin e mëparshëm gjyqësor, duke i hapur rrugë dërgimit të trupave federale në qytet. Autoritetet lokale e quajnë vendimin shkelje të autonomisë së shteteve dhe të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

Një gjykatë federale apeli në SHBA ka vendosur që Presidenti Donald Trump mund të dislokojë trupat e Gardës Kombëtare në Portland, Oregon, duke rrëzuar një urdhër të mëparshëm që e ndalonte këtë veprim.

Vendimi i gjykatës hap rrugën për vendosjen e rreth 200 trupave federale për të mbrojtur ndërtesat qeveritare pas muajsh tensioni e protestash të dhunshme jashtë objekteve të imigracionit në Portland, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra nga autoritetet lokale dhe zyrtarët e shtetit të Oregonit.

Paneli prej tre gjyqtarësh të Gjykatës së Apelit të Qarkut të Nëntë, me seli në San Francisko,  pranoi kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për të pezulluar urdhrin e gjyqtares së qarkut Karen Immergut, e cila më parë kishte bllokuar vendosjen e trupave.

Sipas vendimit, plani i Trump për të dërguar trupat për një periudhë 60-ditore u cilësua si “përgjigje e matur ndaj situatës së paqëndrueshme”.

Administrata Trump e cilësoi këtë si një “fitore të ligjshme” dhe një përgjigje të matur ndaj situatës në terren.

Në një deklaratë për mediat, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se Presidenti ka detyrimin të mbrojë pronën dhe personelin federal “kur autoritetet lokale dështojnë ta bëjnë këtë.”

Por autoritetet në Oregon e kanë dënuar vendimin.

Guvernatorja Kotek tha se vendosja e Gardës Kombëtare federale pa miratimin e shtetit “cenon rëndë sovranitetin e shteteve” dhe “rrezikon të përshkallëzojë tensionet.”

Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i Oregonit ka kërkuar që çështja të rishikohet nga një panel më i gjerë gjyqtarësh, duke e cilësuar vendimin “një precedent të rrezikshëm.”

Vendimi nuk është ende përfundimtar, pasi një urdhër tjetër gjyqësor vazhdon të ndalojë dislokimin e trupave nga jashtë shtetit por ai shënon një fitore të rëndësishme politike dhe ligjore për Presidentin Trump.

Një vendim që pritet të ndezë debat në të gjithë Shtetet e Bashkuara.