Trump: Rebelët e Hamasit qëndrojnë pas dhunës së fundit në Rripin e Gazës
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dyshon se rebelët e Hamasit qëndrojnë pas dhunës së fundit në Rripin e Gazës.
“Nuk besoj se ishte udhëheqja, por ata kishin njëfarë rebelimi mes tyre dhe vranë disa njerëz, shumë njerëz”, tha dje në mbrëmje Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Hamasi ka rënë dakord të “sillet mirë” dhe se nëse nuk vepron kështu, ne do të shkojmë dhe do t’i zhdukim ata”, shtoi ai. “Ata e dinë këtë”, tha presidenti Trump.
Trump i ka kërcënuar anëtarët e grupit islamist palestinez me vdekje në rast se ata vazhdojnë të vrasin njerëz në Rripin e Gazës – pavarësisht marrëveshjes aktuale të armëpushimit.
“Nëse Hamasi vazhdon të vrasë njerëz në Gaza, e cila nuk parashikohet në Marrëveshje, ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të hyjmë dhe t’i vrasim”, shkroi ai në platformën e tij “Truth Social”.
Ai po i përgjigjej raporteve për vrasje në Rripin e Gazës nga luftëtarët e Hamasit. “Ata shkatërruan disa banda që ishin banda shumë të këqija”, u tha Trump gazetarëve të martën e kaluar.
“Dhe ata i eliminuan dhe vranë një numër anëtarësh të bandave. Dhe kjo nuk më shqetësoi shumë, për të qenë i sinqertë me ju”, shtoi ai.
