Gazment Bardhi për aeroportin e Vlorës: Korrupsion, do të merremi seriozisht

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një reagim në rrjetet sociale, akuzoi qeverinë për korrupsion në aeroportin e Vlorës.

Bardhi shkruan se: “Korrupsioni me Aeroportin e Vlorës ka kaluar çdo kufi të imagjinueshëm, edhe për vendet e botës së tretë. Një aferë gjigande financiare është shndërruar në rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.

Prandaj këta duan një opozitë memece në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj nuk duan as debat, as kontroll parlamentar, as pyetje, asgjë që i gërvisht aferat monstruoze të kësaj qeverie”, thekson Bardhi.

Kreu i grupit të PD shton se opozita do të merret seriozisht me këtë çështje.

“I siguroj Edi Ramën dhe Belinda Ballukun se opozita nuk do të lejojë degradimin e Kuvendit dhe shndërrimin e tij në një organizëm që kurdiset sipas interesit të Edi Ramës.

Do të reagojmë, do të protestojmë në mbrojtje të funksionimit demokratik të Kuvendit dhe në mbrojtje të interesit publik. Gjithashtu, e siguroj Belinda Ballukun se me kryeaferën që mban firmën e saj, ‘Aeroporti i Vlorës’, do të merremi me seriozitet maksimal”, nënvizon Bardhi në reagimin e tij.