Dhuna digjitale ndaj grave/ Projektligji i ri ndalon shpërndarjen e fotove ose gjoba çdo 24 orë
Qeveria ka propozuar projektligjin e ri “Për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, që për herë të parë zgjeron mbrojtjen edhe në hapësirën digjitale, duke e konsideruar internetin si një mjedis real të ushtrimit të dhunës.
Sipas draftit, çdo formë kërcënimi, shantazhi, përndjekjeje apo publikimi i imazheve intime pa pëlqim në rrjetet sociale do të cilësohet si “dhunë e lehtësuar nga teknologjia”, me pasoja të menjëhershme ligjore.
Autoritetet, përfshirë AKEP-in, Policinë e Shtetit dhe gjykatat civile, do të kenë të drejtën të urdhërojnë heqjen ose bllokimin e përmbajtjeve abuzive brenda 12 deri në 24 orësh, ndërsa vonesat do të gjobiten me deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orësh vonesë në zbatim.
Projektligji parashikon masa të forta edhe ndaj gjuhës së urrejtjes digjitale, ku ofruesit e platformave on-line dhe administratorët e faqeve detyrohen të heqin postimet fyese, seksiste apo kërcënuese ndaj viktimave brenda 12 orësh nga njoftimi. Në rast se kjo nuk ndodh, AKEP-i apo AMA do të mund të lëshojnë urdhra administrative për heqje të menjëhershme dhe ta regjistrojnë rastin në një “Regjistër Kombëtar të Dhunës Digjitale”.
Një tjetër element i ri është ndalimi i publikimit të të dhënave personale dhe përdorimit të pajisjeve për përndjekje, si GPS apo spyware, pa pëlqimin e viktimës. Dhunuesit që shpërndajnë materiale intime apo kërcënime seksuale mund të urdhërohen nga gjykata të dorëzojnë çdo pajisje apo kopje digjitale që shërben për përndjekje dhe, në disa raste, të kërkojnë falje publike nëse këtë e kërkon viktima dhe e miraton gjykata.
Në rastet më të rënda, gjykata mund të vendosë edhe urdhra ndalimi për çdo kontakt online me viktimën, bllokim të llogarive në rrjetet sociale, dhe konfiskim të pajisjeve elektronike.
Nëse dhuna digjitale lidhet me dhunë në familje, urdhrat e mbrojtjes përfshijnë gjithashtu largimin e menjëhershëm të autorit nga banesa dhe monitorim përmes pajisjeve GPS.
Sipas projektligjit, viktimat kanë të drejtë të raportojnë online përmes kanaleve të sigurta dhe anonime, dhe të marrin ndihmë juridike, psikologjike e strehim emergjent 24 orë në ditë.
Nëse një faqe, rrjet social apo media refuzon të heqë përmbajtje abuzive brenda afatit, ajo përballet me sanksione të menjëhershme dhe përgjegjësi administrative.
Projektligji përcakton qartë për të herë parë se “dhunë dhe ngacmim ndaj grave në politikë” është çdo akt verbal, joverbal ose digjital që synon të cenojë dinjitetin e grave që ushtrojnë funksione politike, të krijojë mjedis frikësues, armiqësor, poshtërues ose ofendues, apo të pengojë pjesëmarrjen e tyre në jetën publike dhe politike
Projektligji i ri i hedhur në konsultim publik përfshin si viktima të mundshme gratë kandidate, të zgjedhura në detyrë, zyrtare publike, por edhe anëtare të partive politike ose gra të përfshira në fushata elektorale.
Ai njeh si dhunë politike edhe sulmet ndaj familjarëve të grave politikane, kur synimi është t’i detyrojnë të heqin dorë ose të mos marrin pjesë në politikë.

