PAMJE/ Teatri “Skampa” pret edicionin e 10-të të Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve
Në teatrin “Skampa” po zhvillohet edicioni i 10-të i Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve.
Ky edicion jubilar, bashkon orkestrat më të mira nga qytete të ndryshme të vendit, në një udhëtim të mrekullueshëm përmes tingujve, traditës dhe pasionit muzikor.
Në këtë edicion morën pjesë orkestrat dhe ansamblet nga Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Berati dhe Ulqini, të cilat sollën një mbrëmje të mbushur me emocione, profesionalizëm dhe dashuri për muzikën.

Publiku elbasanas përjetoi një atmosferë të ngrohtë dhe festive, ku muzika bashkoi breza, pasione dhe ndjenja të përbashkëta artistike.

Festivali organizohet nën drejtimin e Blerim Narazanit (Mjeshtër i Madh) si drejtor artistik dhe Kliton Kapaj si drejtor organizativ.
Në fjalën e tij, drejtori organizativ Kliton Kapaj u shpreh se, ky është një edicion i veçantë, që shënon 10 vite përkushtim ndaj artit të harqeve dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve muzikore të vendit.

Organizatorët u shprehën se do të jetë një javë e pasur me koncerte, interpretime të shkëlqyera dhe bashkim artistësh nga e gjithë Shqipëria.

