Kalabria, histori njerëzore në kohë jo humane

 


Nuk e kisha parë kurrë Kalabrinë në vjeshtë.

Pa zhurmat e verës, pa banjot e diellit dhe pushuesit e përhumbur pas selfie-ve.

Vetëm deti që pëshpërit, kodrat që përkulen si në lutje, dhe aroma e ullinjve.

Kalabria nuk është ’Ndrangheta, as një vend ku projektet nuk bëhen, as një tokë e harruar.

Kalabria është diçka tjetër.

Është njeriu. Është mundi. Është dashuria për tokën, histori njetëzore në kohë jo humane.

Aty ku tradita takon të ardhmen

Rruga në kodrat e Lattarico-s, është si drita e butë e mëngjesit, mes ullinj të përjetshëm e vreshtave që rriten drejt qiellit.

Aty takova Chef Pietro Parisi, “il cuoco contadino”, ardhur nga Napoli për të ndërtuar kuzhinën “Lucia Madre” një laborator të shijes, ndjeshmërisë dhe autenticitetit.

“Ne përdorim vetëm produkte kalabreze,” më thotë ai. “Fillimisht ato të Tenuta Contessa, pastaj gjithçka që vjen nga fermerët e zonës. Duam që zemra e Kalabrisë të jetë protagoniste në çdo pjate.”

Pietro beson në kuzhinën që nuk shpërdoron asgjë, në filozofinë zero waste, ku çdo fletë, çdo aromë, çdo lëkurë e frutit gjen vendin e vet.

“Në çdo produkt ka një njeri,” shton ai. “Unë dua mundi i tij të ndihet në pjatën time."

Në anën tjetër, Lucia, pronarja kaq e re në moshë që ka trashëguar emrin e gjyshes, më flet për kuptimin e “Lucia Madre”:

“Tradita është si një nënë nuk e humb kurrë dashurinë".

Në këtë vend, ku çdo tavolinë ka aromë toke, vreshti, ulliri, ndien një Kalabri që gatuan të ardhmen duke respektuar të shkuarën.

Ferma që zgjohet përpara diellit

Në fushat e Cosenza-s, Maria Luisa e nis ditën me moton:

“Siamo la sveglia del sole. La nostra sveglia fa chicchirichì, ogni giorno!”

Ferma e saj është një orkestër mëngjesi: gjelat, dritat, duart që lëvizin në heshtje mes enëve me qumësht të freskët.

Ajo prodhon mozzarella, gjizë dhe djathë që nuk udhëtojnë më shumë se një kilometër.

“Produkti im nuk shkon në supermarkete,” më thotë ajo. “Shitet këtu, në fermë, sepse nuk është mall — është jetë.”

Në çdo kallëp gjize, në çdo djathë të freskët, ndien kujdesin e natyrës dhe dorën e njeriut. Një ekonomi e vogël, por e pastër, që jeton me dritën e punës.

Jefferson zhvilluesi i Inteligjencês rurale

Pak më tutje mes kodrinave kalabreze Ivano Trombino dhe Stefano kanë krijuar Jefferson – Amaro Importante, likër me 13 erëza, agrume dhe bimë që rriten në brigjet kalabreze.

"Kur të gjithë flasin për inteligjencën artificiale unë punoj për të zhviluar inteligjencën rurale", thotë Ivano e këtë filozofi të tij e gjen sapo hyn në fabrikën e tij.

Historia fillon me mbytjen e një anije në vitin 1871, kur një kapiten anglez, Jefferson, shpëtoi në brigjet e Kalabrisë dhe u mirëprit nga vendasit. Receta e lindur aty mbijetoi mes brezash dhe sot është simbol i një Kalabrie që prodhon ekselencë.

“Nëse gjen diçka të mirë,” thotë Ivano, “duhet ta ruash dhe ta lejosh të rritet.”

Pa reklama, pa sponsorizime, vetëm pasion dhe autenticitet.

Në vitin 2018, Jefferson u shpall likeri më i mirë me erëza në botë, duke e vendosur Kalabrinë në hartën botërore të artizanatit.

Zazà kjo histori e një dashurie të madhe

Pas Jefferson-it, Ivano dhe Stefano krijuan Zazà, një likër frymëzuar nga opera e Leoncavallo-s, që tregon jetën e një këngëtareje të pasionuar dhe të brishtë.

Si protagonistja e operës, likeri përçon dashuri, guxim dhe ndjeshmëri me shije të pasur, të balancuar midis hidhësis dhe ëmbëlsirës natyrale, dhe me nota të freskëta aromatike.

Në laboratorin e ëmbël të Annës

Në rrugët që të çojnë drejt maleve, Anna përzien fiq, arra dhe lajthi me çokollatë të bardhë e të zezë. Fabrika e cokollatës êshtë një ekselencë unike në këtë territor. Gratë kalabreze punojnë fiqtë si në një gjergjef arti duke i veshur më pas me cokollatë disa ngjyrëshe.

Në laboratorin e saj takoj Karlën, vajzën arbëreshe nga San Benedetto Ullano, që punon aty prej katër vitesh si përgjegjëse prodhimi.

Biseda me të është si një takim me historinë shqiptare.

“Kur punoj këtu,” thotë, “ndjej se historia ime dhe e kësaj toke janë njësoj – të dyja kanë vuajtur, por nuk janë dorëzuar.”

Në aromën e çokollatës dhe zërin e saj të qetë ndjen emocionin: Kalabria që flet shqip.

Santuario di San Francesco di Paola – zemra shpirtërore e Kalabrisë

Nuk mund të largohesh nga ky territor pa vizituar Santuario di San Francesco di Paola.

Ndërtuar në shekullin e 16-të dhe zgjeruar me pasion shekuj më vonë, ai qëndron si qendër shpirtërore dhe simbol i besimit, shpresës dhe identitetit kalabrez.

San Francesco di Paola është simbol i modestisë dhe dashurisë për të varfërit, dhe besimi tek ai ka bashkuar komunitetin për shekuj me radhë.

Kalabria që meriton të përqafohet

Kalabria është Gabriele, që ndërtoi një agriturizëm mes maleve;

është Lucia, që realizoi ëndrrën e gjyshes;

është Angelo, që njeh çdo rrënjë të vreshtit të tij;

është Ivano dhe Stefano, që shndërruan dashurinë në likër;

është Maria Luisa, që zgjohet përpara diellit;

është Anna dhe Karla, që mbajnë gjallë aromën e tokës dhe gjuhën e shpirtit.

Kalabria është histori njerëzore në kohëra që nuk njohin më njerëzoren.

Është tokë e punës, dashurisë, besimit dhe pasionit.
Këtu bukuria jetohet.
Nuk të flet me luksin, por me ndershmëri.
Nuk të tundon me retorikë, por me mundin.
Në këtë tokë, njeriu e di kush është, çfarë vlen dhe pse duhet të punojë.
Kalabria është ajo Itali e heshtur që nuk kërkon mëshirë, por respekt.
Një vlerë që duhet ta përqafojë, pa kushte.