Mënyra se si njerëzit bënin punën e tyre të pëditshme në një fabrikë thikash në Francën e fillimshekullit XX

Në vitin 1902, në punishte të vogla të prodhimit të thikave në Francë, mund të shihej një skenë po aq e çuditshme sa edhe gjeniale, burrat punonin të shtrirë me kokë poshtë, mbi stola guri, duke mprehë tehun e thikave.

Nuk ishte ndonjë ekscentricitet apo rehati, por një mënyrë për të mbrojtur shpinën nga përkuljet e gjata të punës. Në këtë pozicion, ata shmangnin lodhjen dhe dhimbjet që shoqëronin orë të tëra të përkulura mbi gurët e mprehjes.

Qyteti i Thiers-it, djepi historik i mjeshtërisë franceze të thikave, ishte qendra e këtij zanati të pazakontë.

Por kishte edhe një detaj më prekës e më njerëzor, mbi këmbët e tyre, të shtrirë e të qetë, pushonin qentë e tyre besnikë. Ata ngroheshin me trupat e punëtorëve dhe, në mënyrën e tyre të heshtur, ua lehtësonin lodhjen.

Bashkë ndanin pluhurin metalik, zhurmën ritmike të gurëve që mpreheshin dhe orët e pafundme të përqendrimit. Qeni bëhej kështu pjesë e punës, një shok i pandarë në ditën e gjatë të mjeshtrit.

Ishte një punë e rëndë, e pakvlerësuar, por pas çdo thike të mprehur me përpikmëri, fshihej një jetë përmbys, në kuptimin më të plotë të fjalës. Burrat e varur mbi stola, me trupin e tyre të kthyer përmbys, ruanin ekuilibrin mes mjeshtërisë dhe mbijetesës. Ndërsa qentë, të heshtur e besnikë, i shoqëronin në këtë përmbysje të botës, duke e bërë më të durueshme peshën e ditës.

Kjo fotografi e rrallë, që ngjall habi dhe ndjeshmëri njëkohësisht, është më shumë se një dëshmi historike: ajo është një himn për përkushtimin, për marrëdhënien e pazëvendësueshme mes njeriut dhe kafshës, dhe për mënyrën sesi puna, sado e vështirë, mund të gjejë në dashurinë e heshtur një formë ngushëllimi.

Në qytetin e Thiers-it, aty ku çdo teh kalonte nëpër duar njerëzish të përmbysur dhe zemrash të drejta, u farkëtua jo vetëm një traditë, por një poezi e përditshme e sakrificës dhe e besnikërisë.

Përgatiti: Albert Vataj