VIDEO/ “Rrjeta e jetës”, nxënësit e Pogradecit mësojnë për biodiversitetin përmes natyrës
Nxënësit e shkollës “Myredin Bashalli” në Pogradec zhvilluan një orë mësimi në natyrë, duke krijuar “rrjetën e jetës”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, videon ku nxënësit e kësaj shkolle gjatë orës së edukimit mjedisor krijuan “rrjetën e jetës”, të frymëzuar nga biodiversiteti i liqenit.
Natyra, mbetet një “thesar” për të edukuar fëmijët, duke krijuar një qasje ndryshe larg një orë mësimi klasike në shkollë.
Nxënësit e shkollës “Myredin Bashalli” në Pogradec janë shembulli i kësaj, të cilët nën drejtimin e specialistëve të zonave të mbrojtura dhe të frymëzuar nga biodiversiteti i liqenit të Pogradecit krijuan “rrjetën e jetës”.
Programi i Artit dhe Zejeve së bashku me orët e edukimit mjedisor po bëhen ura mes dijes dhe krijimtarisë, duke i ndihmuar nxënësit të shndërrojnë idetë në produkte të qëndrueshme sipas traditave të zonës, miqësore me mjedisin dhe të frymëzuara nga dashuria për natyrën.
Përveç ujërave të pastra, liqeni i Pogradecit është i njohur edhe për ekosistemin e tij të veçantë, i cili konsiderohet si një “muze në natyrë” dhe si një “qendër natyrore” për ruajtjen e biodiversitetit.
Liqeni i Pogradecit është habitati i më shumë se 1400 specieve autoktone të florës dhe të faunës, 300 prej të cilave janë endemike.

