Ekonomistët paralajmërojnë krizën! Zhvlerësohet në nivele rekord monedha vendase në Argjentinë

Shumë fabrika në Argjentinë janë mbyllur pasi sipas ekspertëve reformat e ashpra ekonomike të presidentit Javier Milei kanë shkaktuar rënie të porosive dhe humbje të vendeve të punës. Ndërkohë, inflacioni dhe pakënaqësia publike po rriten, duke vënë në pikëpyetje suksesin e strategjisë së tij.

Presidenti i Argjentinës Javier Milei erdhi në pushtet me premtimin për të shpëtuar ekonominë e vendit përmes masave të rrepta dhe reformave të tregut të lirë.

Por pothuajse dy vjet më vonë, rënia e monedhës vendase peso dhe konkurrenca në rritje i kanë detyruar shumë kompani të shkurtojnë operacionet dhe të pushojnë punëtorë në përpjekje për të mbijetuar, të tjera janë detyruar të mbyllen.

Ekonomistët paralajmërojnë se strategjia aktuale është e motivuar politkisht dhe mund të dëmtojë përpjekjet për të realizuar një reformë të thellë të ekonomisë argjentinase.

Kur garonte për president, Milei e krahasonte peson me “jashtëqitje” dhe premtonte se do ta hiqte fare nga përdorimi. Por sot, administrata e tij po e mbron monedhën kombëtare me çdo kusht, madje ka kërkuar mbështetje financiare nga administrata Trump në SHBA për të frenuar rënien e saj.

Shumë argjentinas preferojnë një peso të fortë, që u jep mundësinë të importojnë mallra më lirë dhe të udhëtojnë jashtë vendit.

Por inflacioni dhe ulja e fuqisë blerëse po e venitin mbështetjen për Milein, i cili përballet me rritje të pakënaqësisë ndaj stilit të tij të ashpër dhe mungesës së rezultateve të shpejta.

Kriza aktuale është edhe pasojë e politikave të qeverive të mëparshme, të cilat krijuan shumë kurse këmbimi për dollarin, mbajtën një peso artificialisht të fortë dhe shtypën para për të financuar shpenzimet publike, duke lënë rezervat e bankës qendrore të zbrazura.