Armëpushim mes Afganistanit dhe Pakistanit! Qytetarët braktisin shtëpitë pas bombardimeve në Kandahar! Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e një konflikti të ri

Pas ditësh luftime të ashpra dhe bombardimesh në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit, të dyja palët ranë dakord për një armëpushim të përkohshëm 48-orësh. Dhuna e fundit ka lënë pas dhjetëra viktima dhe ka shkaktuar frikë për një luftë të përgjithshme në rajon.

Afganistani dhe Pakistani kanë arritur një marrëveshje për armëpushim 48-orësh, pas disa ditësh përleshjesh të përgjakshme që rrezikonin të përshkallëzoheshin në konflikt të hapur. Ministria e Jashtme e Pakistanit konfirmoi se marrëveshja hyri në fuqi të mërkurën në orën 18:00, sipas orës lokale.

Luftimet shpërthyen më 11 dhe 12 tetor përgjatë kufirit 2,600 kilometra të gjatë, pas sulmeve ajrore të ushtrisë pakistaneze në provincën jugore afgane të Kandaharit, ku u raportuan viktima civile.

Dëshmitarët lokalë për Radion Evropa e Lirë thanë se avionë dhe helikopterë ushtarakë bombarduan një treg në distriktin Spin Boldak, duke lënë pas të paktën 12 civilë të vrarë.

Pamje të paverifikuara në rrjetet sociale tregojnë shpërthime dhe re tymi në Kabul, ndërsa autoritetet afgane mohojnë akuzat se po strehojnë grupin ekstremist Tehrik-e-Taliban Pakistan. Islamabadi, nga ana e tij, e akuzon Kabulin për mbështetje të këtij grupi, i cili ka kryer qindra sulme kundër forcave pakistaneze gjatë muajve të fundit.

Ekspertët paralajmërojnë se përplasjet e fundit tregojnë dështimin e marrëdhënieve dikur të ngushta mes talibanëve dhe Pakistanit. “Strategjia e Islamabadi për të pasur një qeveri miqësore në Kabul duket se po i kthehet kundër,” thotë analisti politik Muhammad Naeem për Radion Mashaal.

Mbyllja e pikave kufitare ka shkaktuar ndërprerje tregtare dhe rritje çmimesh në zonat kufitare, ndërsa dhjetëra familje janë larguar drejt zonave më të sigurta. Pavarësisht armëpushimit, banorët lokalë shprehen skeptikë për zbatimin e tij, duke theksuar se tensionet mbeten të larta.