Gjykata ndalon largimet nga puna! SHBA, mijëra punonjës shpëtojnë përkohësisht nga pushimi! Konflikti politik zgjat bllokimin e qeverisë amerikane

Një gjykatë federale në SHBA ka pezulluar përkohësisht planet e administratës Trump për të pushuar mijëra punonjës gjatë mbylljes së qeverisë. Vendimi erdhi pas një padie të sindikatave që akuzojnë Shtëpinë e Bardhë për abuzim me mungesën e fondeve për qëllime politike.

Një gjykatëse federale në San Francisko ka bllokuar përkohësisht planet e administratës Trump për të pushuar mbi 4 mijë punonjës federalë gjatë mbylljes së qeverisë amerikane.

Vendimi i gjyqtares Susan Illston u mor pas një kërkese urgjente nga dy sindikata , të cilat argumentuan se shkurtimet ishin të paligjshme dhe të motivuara politikisht.

Sipas vendimit, trupa gjykuese pranoi argumentin se administrata po përdorte “ndërprerjen e financimeve publike si pretekst për të reduktuar në mënyrë të qëllimshme numrin e punonjësve federalë”.

Ajo përmendi edhe deklaratat publike të presidentit Donald Trump dhe të shefit të buxhetit, Russell Vought, që kishin thënë se shkurtimet do të preknin “agjenci të dominuara nga demokratët”.

Departamenti i Drejtësisë argumentoi se sindikatat duhet t’i drejtoheshin bordit federal të punës përpara se të kërkonin ndërhyrje gjyqësore. Sidoqoftë, gjykata e shpalli pezullimin të menjëhershëm. Administrata Trump ka paralajmëruar se do të apelojë vendimin.

Sipas dokumenteve të paraqitura nga sindikatat, rreth një e katërta e shkurtimeve parashikohej në Departamentin e Thesarit, me 1,446 punonjës të prekur. Departamenti i Shëndetësisë planifikonte të pushonte deri në 1,200 punonjës, ndërsa agjenci të tjera si Arsimi, Energjetika dhe Siguria Kombëtare kishin njoftuar shkurtimet mes 176 dhe 400 punonjësve.

Zyrtarët e administratës pranuan se në total planifikohej reduktimi i më shumë se 10,000 vendeve pune, duke e cilësuar këtë si “një ofensivë për llogari të taksapaguesve amerikanë”.

Ndërkohë, bllokimi i qeverisë hyri në javën e tretë, me Kongresin që ende nuk ka arritur marrëveshje për rihapjen e saj, ndërsa republikanët dhe demokratët vijojnë përplasjet mbi financimet dhe politikat sociale.