Regjistër digjital për blegtorinë, kontrolli veterinar sipas standardeve

Shqipëria do të krijojë një regjistër digjital kombëtar për blegtorinë që mbarështohet në vendin tonë, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sektorit të bujqësisë dhe përputhjes me standardet e Bashkimit Europian.

Ky zhvillim vjen pas urdhrit të ri të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i publikuar në Fletoren Zyrtare, që vendos rregulla të detajuara për identifikimin, regjistrimin dhe gjurmueshmërinë e kafshëve si gjedhët, delet, dhitë dhe derrat.

Rregulla të reja për identifikimin dhe raportimin sipas këtij urdhri përcaktojnë se, operatorët që mbajnë kafshë blegtore janë të detyruar të raportojnë në sistem: Lëvizjet, lindjet, ngordhjet, brenda një afati 7-ditor nga momenti i ndodhjes së ngjarjes.

Për zonat malore ose kullotat e regjistruara, afati mund të zgjatet deri në 14 ditë.

Gjithashtu urdhri parashtron që edhe çdo kullotë do të regjistrohet me një numër unik identifikimi, i cili do të lidhet me të dhënat e stabilimentit dhe të operatorit përkatës.

Formatet e reja elektronike që do të krijohen për regjistrimin e kafshëve, do të jenë në përputhje me praktikat më të mira të BE-së. Kjo platformë do të përmirësojë gjurmueshmërinë e kafshëve; forcojë kontrollin veterinar; rrisë transparencën për operatorët dhe lehtësojë shkëmbimin e të dhënave me vendet e BE-së.

Operatorët do të kenë akses të drejtpërdrejtë në sistemin kombëtar të të dhënave për të verifikuar informacionin e lidhur me stabilimentin e tyre.

Ndërkohë që Autoriteti për Kontrollin Veterinar dhe Autoriteti Kompetent Qendror do të jenë përgjegjës për funksionimin e qëndrueshëm dhe të pandërprerë të sistemit, ruajtjen automatike të të dhënave në rast ndërprerjesh; sigurimin e integritetit dhe vërtetësisë së çdo informacioni të regjistruar.

Urdhri do të hyjë në fuqi më 11 korrik 2027, duke i dhënë kohë institucioneve për implementimin e plotë të sistemit të ri. Kjo nismë synon rritjen e sigurisë ushqimore, përmirësimin e standardeve të mbarështimit të kafshëve dhe integrimin me sistemet e BE-së, për një treg më të hapur dhe të sigurt.

Nisma e MBZHR-së vjen në një moment kur Shqipëria po avancon reformat në bujqësi dhe siguri ushqimore, si pjesë e procesit të integrimit europian, duke modernizuar sektorin dhe forcuar kontrollin shtetëror mbi origjinën dhe shëndetin e produkteve shtazore.