Ekspozohen dorëshkrimet e Dritëro Agollit, Mullahi: Familja e shkrimtarit ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Ditari që zbulon sekretet e botimit
Pjesë të dorëshkrimit origjinal të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” nga Dritëro Agolli u ekspozuan në shtëpinë muze.
Shkrimtari u përkujtua në ditën e tij të lindjes përmes një aktiviteti në shtëpinë e tij muze, ku për herë të parë bëhen publike dhe pjesë të dorëshkrimit origjinal të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.
Për të mësuar më shumë detaje nga kjo ekspozitë e veçantë studiuesja Anila Mullahi në studion e lajmeve në “Ora News” hodhi më shumë dritë mbi këto dorëshkrime të rralla të ruajtura me kujdes nga vajza e shkrimtarit të madh.
“Datëlindjet e shkrimtarëve dhe njerëzve të mëdhenj në çdo vend të botës festohen. Nuk është e nevojshme që të jenë medoemos përvjetor.
Është një moment ku flitet për shkrimtarin, është një moment kur flitet për letërsinë shqipe.
Shkrimtarët ndahen në dy kategori: në ata që ruajnë jo vetëm dorëshkrimet, por gjithçka që nga pikëpamja jonë duken si të parëndësishme; por ka nga ata shkrimtarë që i hedhin të gjitha.
Dhe Agolli fatmirësisht është nga këta që kanë ruajtur gjithçka dhe falë tij kemi një arkivë të plotë me materiale të ruajtura saqë ai muze do të pasurohet gjithnjë e më shumë.
Ka dhe një gjë të mrekullueshme që familja e Agollit, sidomos e bija, Elona Agolli, ka ruajtur çdo gjë dhe është nga ata që duke qenë se dhe ajo është e fushës së letërsisë ka ruajtur çdo gjë dhe po tregohet e jashtëzakonshme dhe po i jep muzeut çdo vit dhe në çdo eveniment po jep një pjesë nga arkivi privat i shkrimtarit. Sepse gjërat janë në familje pasi shteti akoma nuk i ka marrë ato t’i vendosë në një muze.
Por, ajo është treguar mjaft e hapur dhe i ka dhuruar muzeut një gjë të çmuar. Ajo i kishte vënë një kapitull të librit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, është një kapitull i gjatë dhe daktilografia e Dritëro Agollit është mjaft e veçantë. Dhe përveç kësaj, Elona Agolli i ka dhënë muzeut dhe ditarin e Dritëroit të udhëtimit të tij në Kongo në vitin 1971.
Ky ditar është një tregues se çfarë ka hequr dhe i është dashur të heqë në atë kohë shkrimtari.
Dhe ne kemi vënë re që pas rënies së komunizmit vetë libri “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ka pësuar ndryshime të herëpashershme dhe ditari “Udhëtim në Kongo” na mëson se libri është shkruar shumë kohë përpara se të botohej. Dhe kemi të bëjmë jo vetëm me censurën e kohës, por përveç censurës kemi dhe rastin e auto-censurës, ku ai ka menduar se këto kapituj nuk janë të përshtatshme me kohën e botimit. Dhe në ditar arrijmë të kuptojmë dhe momentet e auto-censurës në libër”, u shpreh ndër të tjera studiuesja Anila Mullahi.
VIDEO - NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME STUDIUESEN ANILA MULLAHI
EKSPOZITA
Në ekspozitë gjenden edhe blloqet e shënimeve, ku nis gjeneza e romanit, revista “Hosteni” e vitit 1972, që e botoi për herë të parë, letërkëmbime origjinale, e deri te objekte personale të shkrimtarit, që sjellin afër njeriun pas veprës. Dhurimi i këtyre dokumenteve origjinale u bë nga e bija e Dritëroit, Elona Agolli. Ekspozita që u çel më 13 tetor do të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të vitit. Por edhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit zhvilloi një aktivitet përkujtimor kushtuar jetës dhe veprës së shkrimtarit Dritëro Agolli, me rastin e ditës së tij të lindjes. Aktiviteti “Dritëro Agolli dhe universaliteti në veprën e tij” u zhvillua te qendra “Sotir Kolea”, ku të pranishëm ishin studiues të letërsisë, autorë të ndryshëm, etj. Dritëro Agolli ishte poet, prozator, gazetar dhe politikan i njohur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX.
Ai është ndër shkrimtarët më të njohur në Shqipëri. Lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit dhe u nda nga jeta më 3 shkurt të vitit 2017. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Për shumë kohë, Agolli ishte gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit”, dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ai la pas një krijimtari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash, etj.


