Fituesi i Nobelit Laszlo Krasznahorkai anulon pjesëmarrjen në Panairin e Frankfurtit

Fituesi i saposhpallur i Çmimit Nobel për Letërsi, Laszlo Krasznahorkai, nuk do të marrë pjesë në hapjen e “Panairit të Librit “në Frankfurt, njoftuan  sot organizatorët.

Shkrimtari hungarez, 71 vjeç, nuk do të mund të jetë i pranishëm në konferencën për shtyp nesërr, siç ishte planifikuar, për arsye shëndetësore.

Ky panair, i cili mbahet çdo tetor në qytetin gjerman, është ngjarja më e madhe botërore e industrisë së botimeve, duke tërhequr qindra mijëra vizitorë. Vendi mysafir i këtij viti është Filipinet.

Krasznahorkai u nderua të enjten e kaluar me Çmimin Nobel për “veprën e tij magjepsëse dhe vizionare që, në mes të tmerrit apokaliptik, ripohon fuqinë e artit,” sipas Akademisë Suedeze të Çmimeve Nobel.

Ai ndodhej në Frankfurt kur mori telefonatën që e informonte për fitoren. Veprat e tij të ndërlikuara përshkruhen shpesh si postmoderne dhe apokaliptike, të ndikuara fuqishëm nga Franz Kafka dhe Samuel Beckett.

Krasznahorkai debutoi në vitin 1985 me romanin“Satantango”, i vendosur në një fshat të zymtë dhe të përmbytur nga shiu, i banuar nga njerëz të dëshpëruar dhe të çmendur.

Romani u përshtat më vonë në një film prej më shumë se 7 orësh nga regjisori hungarez Béla Tarr.