Medvedev: Dërgimi i raketave ‘Tomahawk’ në Ukrainë mund të ketë pasoja të rënda
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha sot se furnizimi i Ukrainës me raketa amerikane “Tomahawk “ mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë, veçanërisht për presidentin amerikan Donald Trump, sipas “Reuters”.
Medvedev, një nga figurat më të ashpra në Kremlin që shpesh e ka provokuar president Trum në rrjetet sociale, tha se është e pamundur të dallohet nëse raketat “Tomahawk” mbajnë koka bërthamore apo konvencionale pasi ato lëshohen një pikë që është theksuar edhe nga zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin.
“Si duhet të përgjigjet Rusia? Pikërisht kështu!”, shkroi Medvedev në Telegram, duke lënë të kuptohet se reagimi i Moskës mund të jetë bërthamor.
Trump deklaroi dje mund të ofrojë raketa me rreze të gjatë veprimi “Tomahawk” për Kievin, nëse Putin nuk i jep fund luftës në Ukrainë.
“Po, mund t’i them atij (Putinit), nëse lufta nuk ndalet, mund ta bëjmë. Ndoshta jo, por ndoshta po… A duan ata që ‘Tomahawk’ të drejtohen nga ana e tyre? Nuk mendoj se po”, tha Trump.
“Mbetet vetëm të shpresojmë që kjo është një tjetër kërcënim bosh… si ai për dërgimin e nëndetëseve bërthamore më afër Rusisë”, shtoi Medvedev.
Ai i referohej deklaratës së Trump-it në gusht, kur tha se kishte urdhëruar dy nëndetëse bërthamore amerikane të afroheshin me Rusinë pas komenteve “shumë provokuese” të Medvedevit për rrezikun e luftës.
