Presidenti libanez, Aoun sheh mundësi për negociata me Izraelin

Presidenti libanez Joseph Aoun sugjeroi sot se Libani mund të shqyrtojë mundësinë e negociatave me Izraelin, duke theksuar ndryshimin e klimës rajonale drejt dialogut dhe kompromisit.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve (NNA) citoi Aoun-in të ketë thënë para një grupi gazetarësh ekonomikë se “gjërat po ecin drejt negociatave për të vendosur paqe dhe stabilitet, dhe po japin rezultate”, duke shtuar se “zgjidhjet mund të arrihen përmes dialogut dhe negociatave”.

Megjithatë, presidenti bëri thirrje që Izraeli të ndalë operacionet ushtarake kundër Libanit, në mënyrë që të krijohen kushtet për fillimin e procesit të negociatave.

“Ky proces që po ndodh në rajon nuk duhet penguar”, tha ai.

Aoun theksoi se “Libani nuk mund të qëndrojë jashtë rrugës aktuale të rajonit”, e cila synon zgjidhjen e krizave, duke shtuar se “nuk mund të përballojmë më luftë, shkatërrim, vrasje dhe zhvendosje”.

Ai kujtoi se në vitin 2022 Libani kishte zhvilluar negociata indirekte me Izraelin nën kujdesin e SHBA-së dhe OKB-së, të cilat çuan në marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar, shpallur nga selia e UNIFIL-it në Naqou .

“Çfarë e pengon që e njëjta gjë të ndodhë sërish për të gjetur zgjidhje për çështjet e mbetura?”, pyeti ai, duke shtuar se edhe Izraeli “përfundimisht u detyrua të negociojë me Hamasin pasi kuptoi se lufta dhe shkatërrimi nuk sollën rezultate”, tha Aoun. Libani dhe Izraeli  janë teknikisht ende në gjendje lufte.