Trump për Iranin: Ne hoqëm një re të madhe nga Lindja e Mesme, Izraeli me ndihmën tonë ka fituar gjithçka që mundi
Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë fjalimit të tij në Knesset, theksoi rolin vendimtar të SHBA-së në sigurinë dhe fuqizimin e Izraelit.
Ai vlerësoi Operacionin “Çekani i Mesnatës”, ku forcat amerikane shkatërruan aftësitë bërthamore të Iranit, duke deklaruar se “ne larguam një re të madhe nga Lindja e Mesme dhe nga Izraeli”.
Trump shtoi se mbështetja e SHBA-së ka ndihmuar Izraelin të fitojë gjithçka që mundi dhe tani është koha për “paqe dhe prosperitet për të gjithë Lindjen e Mesme”.
Ai kujtoi gjithashtu skenat e tmerrshme të 7 tetorit, duke e përshkruar sulmin ndaj Izraelit si “një nga përdhosjet më të liga që nga Holokausti”.
Presidenti falënderoi përpjekjet e të dërguarit të tij të posaçëm Steve Witkoff, këshilltarit dhe dhëndrit Jared Kushner, Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Sekretarit të Luftës Pete Hegseth, duke theksuar se këta individë “punuan jashtëzakonisht mirë” për realizimin e objektivave amerikane në rajon.
Duke folur për marrëdhënien me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trump tha se “Bibi më telefononte kaq shumë herë” për armë, duke çuar në një Izrael të fortë dhe të fuqishëm, rezultat që sipas tij solli paqen.
Ai përmendi gjithashtu udhëtimin e tij të planifikuar në Egjipt, duke bërë shaka për vonesat që mund të ketë për shkak të fjalimeve të gjata në Knesset.
Në përfundim, Trump nënvizoi se tani është një “kohë shumë emocionuese” për Izraelin dhe Lindjen e Mesme, duke theksuar se forcat e kaosit dhe terrorit janë “dobësuar, të izoluara dhe plotësisht të mundura” falë veprimeve amerikane.
