Shtet i fortë apo mungesë shteti?

Prej katër vitesh jam përdoruese e scooterit elektrik dhe prej 5 vitesh kam patentë shoferi të kategorisë B. Kam marrë kokoren e scooterit që në javën e parë që kam marrë scooterin.

Për katër vjet rresht kam parë se si nga fare pak përdorues, Tirana u mbush me scootera elektrike, të përdorur për të lëvizur në një qytet ku për të lëvizur nga një stacion autobuzi në tjetrin të duhen 5-7 minuta mesatarisht.

Përdorimi në masë i tyre bëri që edhe Bashkia Tiranë, në kuadër të aksionit kundër ndotjes (jo kundër trafikut) të blinte me një tender shumë të diskutuar 500 Bin-Bin e famshëm, në të cilët shihje së fundmi gjithnjë e më shumë fëmijë të shkollave 9 vjeçare, herë vetë, vetë vetë i dyti, pa kokore (Bashkia i ofron scooterat elektrikë pa kokore).

Sot nuk munda ta marr scooterin prej urdherit të Ministres së Brendshme, e cila, me një përkushtim të jashtëzakonshëm për punën, firmosi ndalimin e tyre ditën e dielë. Pa pritur që Urdhëri të hyjë në fuqi, sot policët e Shtetit filluan konfiskimet.

Ndalimi i përkohshëm i scooterave elektrikë nuk është një problem urgjent personal. Për fat të mirë, punën e kam 15 minuta në këmbë dhe qendrën e qytetin 15 minuta të tjera nga puna. Por sa qytetarë të Tiranës janë kaq fatlumë si unë?

Argumenti kryesor është se scooterat elektrikë janë bërë problem edhe në qytete të tjera europiane, si psh Viena, Brukseli etj. Mirëpo nëse në këto qytete qytetari e ka të thjeshtë të zgjedhë mes mjeteve të transportit publik (tren, autobus, tramvaj), a është i lirë të zgjedhë qytetari i Tiranës kur të shkosh me autobus shpesh vonohesh më shumë se të ecësh në këmbë?!

Ndalimi emergjent i scooterave elektrikë për mua ngre disa diksutime mbi mënyrën si funksionojnë institucionet:

Së pari, çdo ministër a funksionar publik sillet sikur historia fillon vetëm me të. Pra, para ministres Koçiu nuk ka pasur Ministre të Brendshme e cila nuk mban asnjë përgjegjësi për faktin se në Shqipëri ka pasur qindra mjete elektrikë të futur në Shqipëri edhe pa doganë fare, ka pasur dhjetra aksidente me pasoja fatale për të cilat nuk ka apsur asnjë deklaratë nga ministria dhe mbi të gjitha, si do ta justifikojë Bashkia e Tiranës tenderin për Bin-Bin para Ministres së Brendshme Koçiu?

Së dyti, shteti shqiptar ka vite që punon në emergjencë, e cila përveç zhurmës së disa ditëve, nuk zgjidh asnjë problem por vetëm bën bojatisen e tyre. Nëse ky aksion do të ishte vërtetë për marrjen e masave të sigurisë në rrugë, a nuk do të kishte pasur një plan të detajuar edhe për kontrollin e taksive me shoferë pa patentë, të motoristëve shpërndarës të ushqimeve, të shoferëve të rinj me makina dhjetra mijra euro në rrugë urbane që ecin me shpejtësi deri në 100 km/h në qytet?

Së treti, çfarë tregon për shtetin një situatë të cilën nuk e kontrollon dot derisa i duhet ta ndalojë plotësisht? Shtet të fortë apo mungesë të shtetit?

Përdorimi i scooterave elektrikë ka qenë edhe mbetet problem ashtu siç mbetet problemi i TikTok i pakontrolluar, i blerjes së cigares, alkoolit, narkotikëve nga të rinjtë etj. etj. Çfarë bën shteti për këtë? A nuk është emergjencë?

Për fund, për të gjithë ata që thonë se të paktën Policia po punon, dua t’ju kujtoj se një nga aksionet më të suksesshme të Policisë së Shtetit ishte për mbajtjen e rripit të sigurimit në kohën e ministrit Tahiri. Ky megaoperacion i Policisë së Shteti ndodhi në të njëtjën kohë kur ndodhi kanabizimi dhe kriminalizimi i vendit, i cili, sot pas një dekade, na ka kriminalizuar çdo sektor të shoqërisë.

Është e qartë që Policia e Shtetit vepron sipas prioriteteve, por kush i përcakton prioritetet e Policisë?