Kush e mbron Administratën e Gjykatave? Ngjarja në Apel, duhet të shërbejë si thirrje e fortë për reflektim

Ngjarja e rëndë ku një gjyqtar u qëllua me armë brenda ambienteve të gjykatës ka tronditur opinionin publik dhe institucionet e drejtësisë.

Por, përtej fatkeqësisë së drejtpërdrejtë ndaj gjyqtarit, ka edhe një aspekt tjetër që po anashkalohet: roli dhe rreziku që përballon administrata gjyqësore në raste të tilla ekstreme.

Sekretarja e gjyqtarit ndodhej në sallën e gjyqit në momentin e të shtënave, duke rrezikuar jetën e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Pikërisht ajo, së bashku me pjesëtarë të tjerë të administratës gjyqësore, ka qenë ndër të parët që ka dhënë ndihmë ndaj gjyqtarit të plagosur, në një situatë kaotike dhe të rrezikshme ku asnjë gjyqtar nuk ka qenë prezent.

Megjithatë, edhe pse janë pjesë e pandarë e sistemit të drejtësisë, administrata gjyqësore mbetet në hije.

Ata përballen me ngarkesë të lartë pune, paga të ulëta dhe, ndryshe nga gjyqtarët apo prokurorët, nuk kanë një trupë apo përfaqësi që t’i mbrojë dhe të artikulojë zërin e tyre në instanca si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Ngjarje si kjo duhet të shërbejnë si thirrje e fortë për reflektim. Siguria në gjykata nuk është vetëm çështje e gjyqtarëve, por e çdo punonjësi që kontribuon për funksionimin e drejtësisë. Administrata gjyqësore ka nevojë për njohje, mbrojtje institucionale dhe përfaqësim real.

Mos ta kujtojmë kontributin e tyre vetëm kur ndodhin tragjedi.