Tragjedia e Astrit Kalasë dhe dështimi i sistemit

Shoqëria shqiptare po përballet me një realitet të hidhur: humbjen e besimit tek drejtësia.

Vitet e zvarritjeve gjyqësore, padrejtësive të pambarimta, korrupsionit në çdo nivel dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale kanë krijuar një klimë dëshpërimi e revolte, që sot ka shpërthyer në formën më ekstreme, dhunë ndaj vetë gjyqtarëve.

Kur qytetari pret me vite për një vendim, kur çdo derë e drejtësisë i duket e mbyllur dhe shteti shfaqet si i shurdhët, ai humbet besimin dhe ndjen se nuk ka më kujt t’i drejtohet.

Por edhe pse sistemi ka dështuar në shumë drejtime, asnjë zhgënjim, asnjë padrejtësi, nuk mund të justifikojë aktin e rëndë të dorës së armatosur kundër një njeriu që përfaqëson ligjin.

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën tragjikisht, pasi u qëllua me armë zjarri në koridorin e sallës së gjyqit.

Gjyqtari Kalaja e ushtronte detyrën e tij që prej vitit 2003, duke shërbyer mbi 22 vite në sistemin e drejtësisë shqiptare. Autori i dyshuar, Elvis Shkambi, palë në proces për çështje pronësie, është arrestuar nga policia menjëherë pas ngjarjes.

Kjo është një ngjarje e rëndë, por edhe e parandalueshme. Si është e mundur që një person të hyjë i armatosur në sallën e gjyqit?

Ku ishte kontrolli i sigurisë?

A funksiononte detektori metalik apo kemi të bëjmë me neglizhencë të punonjësve të sigurisë?

Sistemi i kontrollit ka dështuar plotësisht.

Për këtë duhet të mbahen përgjegjës jo vetëm autori i krimit, por edhe ata që kanë detyrën të mbrojnë institucionet e drejtësisë.

Por pyetja e madhe është: si arritëm deri këtu?

Si është e mundur që dikush merr armën dhe qëllon gjyqtarin?

Kjo është pasojë e mosfunksionimit të drejtësisë, veçanërisht në çështjet e pronësisë.

Që nga vitet ’90, asnjë qeveri nuk e ka zgjidhur përfundimisht problemin e pronave.

Dosjet zvarriten me dekada, pronarët enden nëpër gjykata, ndërsa vendimet shtyhen pafund. Rasti i Elvis Shkambit është vetëm një shembull, nga mijëra të tjera që zvarriten pafund e ku qytetaret presin dhjetra vite per nje vendim gjykate.

Por kujdes! Zvarritja e drejtësisë nuk justifikon kurrë vrasjen! Asnjë padrejtësi, asnjë vonesë, nuk mund të kthehet në arsye për të marrë jetën e një njeriu, aq më tepër të një gjyqtari në ushtrim të detyrës. Vetëgjyqësia është shenjë e dështimit të shtetit, jo e guximit të qytetarit.

Reforma në drejtësi, në vend që të sillte efikasitet, ka krijuar një boshllëk institucional. Qindra gjyqtarë janë shkarkuar, por vendet e tyre nuk janë zëvendësuar. Dosjet janë grumbulluar, proceset zvarriten, dhe njerëzit presin me vite të tëra për një vendim që nuk vjen kurrë.

Edhe gjuha e politikës ka kontribuar në këtë klimë të rrezikshme. Kryeministri vetë ka përdorur shpesh tone fyese ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu si dikur, në vitin 2013, kur ministrat e tij dilnin në media për t’i akuzuar publikisht.

Nga ana tjetër, Sali Berisha, me retorikën e tij kundër SPAK-ut, e ka çuar konfliktin edhe më tej.

Kështu është ushqyer një klimë urrejtjeje ndaj drejtësisë. Deri dje, vetëgjyqësia ishte ndaj palës tjetër në process, sot, është drejtuar ndaj vetë sistemit të drejtësisë. Dhe kjo është e papranueshme dhe e rrezikshme.

Tani, si zakonisht, do të shohim parada me kamera: drejtorë policie, prokurorë e zyrtarë që deklarojnë “po hetojmë”. Do arrestohen disa punonjës sigurie, autori do të dënohet, por asgjë thelbësore nuk do të ndryshojë. Qytetarët do të vazhdojnë të presin në radhë për drejtësi. Sepse problemi nuk është vetëm tek një armë që kalon kontrollin, por tek një sistem që ka humbur besimin dhe funksionin.

Dhe kjo nuk është hera e parë. Në prill 2024 një person tentoi të godiste gjyqtaren Bajramaj në Lushnje; në vitin 2016, një tjetër tentoi të sulmonte me thikë një prokurore në të njëjtën gjykatë; në vitin 2013, gjyqtarja Mirela Mishgjoni në Vlorë u sulmua me acid; ndërsa në Fier një i moshuar qëlloi drejt gjyqtares për një çështje divorci.

Kërcënime, fyerje dhe tentativa ka me dhjetëra çdo vit. Sot, për fat të keq, vrasja në sallën e gjyqit është bërë realitet, një alarm kombëtar për shtetin ligjor.

Drejtësia nuk mund të funksionojë me frikë. Gjyqtarët nuk mund të punojnë nën kërcënim, dhe qytetarët nuk mund të jetojnë me ndjenjën se drejtësia varet nga nervat e një të dëshpëruari.

Nëse kjo ngjarje nuk shërben për reflektim të thellë institucional, atëherë sistemi ynë ka dështuar përfundimisht.