Raporti vjetor i ILD-së, Metani te “Ligjet”: 2854 ankesa ndaj gjyqtarëve e prokurorëve! Gjetja e kufijve për të ndarë pakënaqësitë nga reagimet ekstreme me çmim të rëndë, është shumë e vështirë

Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani paraqiti në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor të punës së bërë nga institucioni që ai drejton përgjatë vitit të kaluar.

RAPORTI I PLOTË I METANIT NË KOMISIONIN E LIGJEVE

Më lejoni të vlerësoj rolin e rëndësishëm të Kuvendit në këtë situatë që kaluam dhe po kalojmë prej ngjarjes në fillim javën e shkuar. Ajo që ndodhi ishte tronditëse për të gjithë.

E falënderoj Kuvendin për aktin solemn, të nderimit të gjyqtarit me një minutë heshtje. Solidariteti njerëzor dhe institucional është jetik për t’u përballur me situata të tilla, ku gjetja e kufijve të duhur për të ndarë nga njëra anë problemet e sistemit, pakënaqësitë e bazuara dhe të pabazuara për punën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, dhe nga ana tjetër reagimet ekstreme me çmim shumë të rëndë, është shumë e vështirë. 

Me këto ndjesi, kemi përgatitur me kolegët këtë raportim, duke paraqitur këtu jo vetëm shifra, por edhe një panoramë të problemeve të sistemit gjyqësor sot, sipas këndveshtrimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si edhe sfidat që duhet të adresojmë, ne, organet e sistemit të drejtësisë, por edhe të tjerë aktorë institucionalë e publikë.

Kështu, gjatë vitit 2024 janë depozituar pranë ILD, 1491 ankesa te reja ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. 1363 ankesa vijuan te mbartura nga vitet e meparshme. Ne total, për vitin 2024, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte 2854 ankesa për trajtim. Nga keto, janë shqyrtuar 1374 ankesa, nga të cilat 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor. Përvec qytetarëve, ankues gjatë vitit 2024 ka patur edhe institucione të sistemit, si kryetar gjykate me 2 ankesa, drejtues të prokurorive me 20 ankesa, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me 2 përcjellje për kompetencë dhe Gjykata e Lartë me 4 vendimmarrje për konstatim të shkeljes së afatit të arsyeshëm.

Përveç ankesave më sipër, gjatë vitit 2024, ILD ka shqyrtuar edhe një numër të konsiderueshem kërkesash nga KLP e KLGJ, për vlerësimin e magjistratëve për periudha të ndryshme vlerësimi. Për 118 kërkesa të sjella nga Këshillat, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka shqyrtuar 674 ankesa dhe janë në faza të ndryshme trajtimi 11 ankesa. Konkretisht, 578 ankesa janë shqyrtuar, bazuar në 64 kërkesat që ka sjellë KLGJ dhe 9 ankesa janë në faza të ndryshme trajtimi. Ndërsa 96 ankesa janë shqyrtuar për KLP, bazuar në 54 kërkesat që i janë drejtuar ILD-së dhe 2 ankesa janë në fazë shqyrtimi fillestar. Edhe gjatë vitit korrent, dy Këshillat kanë përcjellë kërkesa për ILD në kuadër nevojës për vlerësimin e magjistratëve. 71 kërkesa kanë ardhura nga Këshillat deri në fund të shtatorit, për të cilat ILD ka shqyrtuar 842 ankesa dhe 5 ankesa janë në fazë verifikimi. Pra vetëm për vitin 2024 deri në shtator 2025 janë 1534 ankesa për trajtim nga ILD me kërkesë të Këshillave. Inspektori i Lartë i Drejtëisë ka trajtuar 1516 ankesa, vetëm 18 ankesa janë në proces. Pra është një punë voluminoze dhe trajtimi i tyre bëhet me prioritet për të mos penguar KLGJ-në e KLP-në në proceset e vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, edhe në funksion të ngritjeve në detyrë e transferimeve, sipas nevojave të Gjykatave e Prokurorive për të plotësuar vakancat e tyre.

Krahas trajtimit të këtyre dy kategorive të ankesave, gjatë vitit 2024 janë përfunduar 6 inspektime tematike, ndërsa në nisje të vitit kalendarik si zakonisht, Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve ka miratuar kalendarin me 6 inspektime tematike.

Gjatë vitit 2024 janë depozituar në ILD:

•       18 ankesa ndaj Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. ILD ka trajtuar gjithsej 25 ankesa për subjektet e posaçme të SPAK

•       4 ankesa për subjektet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Janë trajtuar gjithsej 12 ankesa për subjektet e posaçme të GJKKO

•       3 ankesa për subjektet e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Eshtë trajtuar 1 ankesë për subjektet e posaçme pranë kësaj Gjykate (GJPAKKO)

•       24 ankesa për anëtarët e Gjykatës së Lartë

o      Nëse do keni interes, do ju përcjell një panoramë më të shtrirë në kohë, totalin e ankesave për institucionet e epërme të drejtësisë, për periudhën 2020 - 30 Shtator 2025.

-       158 ankesa ndaj Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), prej të cilave janë trajtuar 108 ankesa dhe janë në proces 50 ankesa.

-       74 ankesa për subjektet e Gjykatës së Posaçme të  Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prej të cilave trajtuar 58 ankesa dhe janë në proces 16 ankesa.

-       83 ankesa për subjektet e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prej të cilave trajtuar 73 ankesa dhe janë në proces 10 ankesa.

-       206 ankesa për Anëtarët e Gjykatës së Lartë, prej të cilave janë trajtuar 131 ankesa dhe janë në proces 75 ankesa.

-       24 ankesa për anëtarët e KLGJ, prej të cilave trajtuar 22 ankesa dhe janë në proces 2 ankesa.

-       7 ankesa për anëtarët e KLP prej të cilave janë trajtuar 4 ankesa dhe janë në proces 3 ankesa.

-       13 ankesa për prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, prej të cilave janë trajtuar 12 ankesa dhe është në proces 1 ankesë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është institucion i kontrollueshëm në punën e vet, pasi vendimet e tij janë të ankimueshme. Gjatë vitit 2024, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka marrë 762 vendime objekt ankimi pranë Komisioneve të Përkohshme të Shqyrtimit të Ankimeve në Këshilla. Vetëm 89 nga 762 vendimet e ILD-së janë ankimuar. Komisionet përkatëse pranë KLGJ e KLP kanë vendosur refuzimin, si të pabazuar të ankimit të paraqitur nga ankuesit ndaj vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, e për pasojë, asnjë prej vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nuk është cenuar.