Arnautoviç i theu rekordin, ish-sulmuesi legjendar thumbon: Përfaqësuese picajolësh, nuk kam parë kurrë ekip më të dobët
Austria ka regjistruar fitoren më të thellë në historinë e saj në ndeshje zyrtare në natën e te enjtes, teksa ka triumfuar me shifrat 10-0 përballë modestëve të San Marinos. Një ndeshje ku protagonist ishte padyshim Marko Arnautoviç, i cili shënoi katër gola.
Duke bërë një gjë të tillë, Arnautoviç u ngjit në kuotën e 45 golave me ekipin përfaqësues, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve për të, pasi la mbrapa legjendën Toni Polster i cili ishte ndalur në kuotën e 44 golave.
“E kisha thënë që do të më thyente rekordin. Jam i lumtur për të. Por Marko ka luajtur më shumë ndeshje me përfaqësuesen se unë”, tha Polster duke kujtuar se ai kishte luajtur 95 ndeshje, ndaj 128 të Arnautoviç.
Më pas, ish-sulmuesi i njohur i Seviljes dhe Këlnit, nuk ngurroi të kritikonte skuadrën e San Marinos. “Kjo skuadër nuk duhet të ketë vend në arenën ndërkombëtare.
Është një skuadër picajolësh, nuk është një ekip kombëtar. Nuk kam parë kurrë një skuadër kaq të dobët”, ishin fjalët e tij pas ndeshjes.
