IBRAHIMOVIÇ, MILANI DHE ETJA PËR FITORE! Zlatan punon pas kuintave si këshilltar i RedBird
Zlatan Ibrahimoviç nuk ndalet kurrë. Jo më në fushë, por në zyrat strategjike në shtëpinë kuqezi, ai vazhdon të udhëheqë me frymën që e bëri një ikonë. Si këshilltar i RedBird, punon krah Gerry Cardinales dhe Igli Tares, duke sjellë përvojën dhe obsesionin e tij për fitoren.
Zlatan Ibrahimoviç ka ndryshuar, por vetëm pjesërisht. Tani zgjedh prapaskenën në vend të kamerave, por mbetet i njëjti lider karizmatik që nuk pranon mesataren. Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, ish-sulmuesi foli për rolin e tij të ri si këshilltar i RedBird, por edhe për ADN-në fituese të Milanit:
“Askush nuk e ndryshon Milanin, është Milani që të ndryshon ty. ADN-ja e Milanit është të fitosh”
Zlatani bashkëpunon çdo ditë me Gerry Cardinale dhe Furlani, duke studiuar strategjitë për zhvillimin e klubit.
“Shoqëria ka shtuar atë që mungonte. Jam këtu për të mësuar aty ku duhet dhe për të folur aty ku kam përvojë,” – tha ai, duke zbuluar se është përfshirë edhe në pjesën korporative dhe argëtuese të RedBird.
Megjithëse nuk është më në fushë, etja e tij për fitore mbetet e pandryshuar. “Në Milanello ndien aromën e fitores. Pasi ke qenë aty, nuk je më i njëjti futbollist,” – shtoi ai. Për Ibrahimoviçin, kultura e Milanit nuk mësohet, por përjetohet.
Sa i përket trajnerit Massimiliano Alegri, Zlatani nuk ndërhyn në vendimet teknike, por pranon se shpesh vepron si motivues për lojtarët.
“Ndonjëherë duhet të jesh më i butë për të hyrë në mendjen e tyre. Leao është magji, por duhet të kthehet në formë. Ai ka gjithçka për të qenë ndër më të mirët në botë.”
Duke folur për Luka Modriçin, Ibra shpreh respekt të madh:
“Ne jemi ndryshe, por ai solli përvojën që na mungonte. Është lider i heshtur, por i vërtetë. Vetëm pranë tij fiton diçka.”
Zlatani Ibrahimoviç mbetet po ai që ka qenë gjithmonë — fitues, kërkues dhe i pathyeshëm.
