Avokati dhunoi punonjësin e sigurimit në Vlorë, reagon Dhoma Kombëtare e Avokatisë: Do marrim masa

Reagim i Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë për Incidentin në Gjykatën e Vlorës

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dënon incidentin e dhunës në të cilin është përfshirë avokati Redi Llanaj, anëtar i Dhomës së Avokatise, Vlorë në ambientet e Gjykatës së Vlorës.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë distancohet nga kjo ngjarje duke e vlerësuar atë të papërshtatshme dhe të pahijshme për figurën e Avokatit.

Në të njëjtën kohë ndjejmë keqardhje që ky incident ka ndodhur në ditën e bojkotit të vendosur nga DHASH, pikërisht për të ndalur fenomenin e dhunës ndaj funksionarëve dhe punonjësve në sistemin e drejtësisë, nëpërmjet ngjarjes së Gjyqtarit Astrit Kalaja.

DHASH njofton të gjithë avokatët dhe opinionin publik se po e ndjek me shqetësim dhe seriozitet këte ngjarje dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të trajtuar rastin e këtij avokati.

Në të njëjtën kohë, inkurajojmë institucionet përkatëse të hetojnë dhe të zbardhin këtë incident të shëmtuar.