Barazia gjinore, shtatë të rinj prezantojnë histori frymëzuese në qendrën Agimi

“Albanian Women in Audiovisual” prezantoi premierën e dytë të subgranteve “Breaking the Molds – Shaping the Future”, një program që synon të fuqizojë vajzat dhe gratë përmes thyerjes së stereotipeve gjinore dhe mbështetjes së të rinjve në krijimtarinë audiovizuale.

Në këtë aktivitet u prezantuan rezultatet e jashtëzakonshme të shtatë të rinjve pjesëmarrës në program, të cilët përmes projekteve të tyre sollën histori frymëzuese që promovojnë barazinë gjinore dhe mundësitë e reja për gratë në shoqëri.

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte premiera e parë e të riut Arb Izeti, i cili prezantoi dokumentarin e shkurtër “Ninulla”. Ky prodhim sjell historinë e grave shqiptare që ruajnë dhe formësojnë identitetin kulturor përmes ninullave tradicionale.

Dokumentari eksploron rolin e tyre si edukatore, nëna dhe kujdestare të trashëgimisë ndër breza, duke shfaqur se si këngët e djepit shërbejnë si një formë artistike dhe kujtesë kolektive që mban gjallë traditat shqiptare. Një rrëfim emocional dhe social që vlerëson fuqinë e grave në ruajtjen e kulturës dhe edukimin e brezave të rinj.

“Ky film është një homazh për gratë shqiptare dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ruajtjen e traditës dhe kulturës sonë. Përmes “Ninulla-s” doja të tregoja se edhe një këngë e thjeshtë djepi mbart një trashëgimi të pasur shpirtërore dhe identitare”, u shpreh Arb Izeti.

Ky projekt zbatohet nga “Albanian Women in Audiovisual” në bashkëpunim me Qendrën për Kërkime Sociale dhe Ekonomike (SCiDEV) dhe me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian në Shqipëri (EU in Albania).