"Shfryhet" dosja "5D"/ GJKKO zbut masën e sigurisë për Redi Mollën, ish-drejtori i Bashkisë Tiranë dërgohet në arrest shtëpie

Apeli i Posaçëm ka vendosur që Redi Molla, ish-drejtor në Bashkinë e Tiranës, të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, duke zbutur masën e sigurisë, nga arrest në burg.

Molla po hetohet për dosjen e famshme 5D, që çoi pas hekurave disa prej drejtorëve në Bashkinë e Tiranës. Ai akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

SPAK pretendon se Molla ka qenë “pronari de facto” i kompanisë 5D Konstruksion, që ka përfituar në mënyrë të dyshimtë tendera publikë nga Bashkia e Tiranës. SPAK kërkoi arrestimin e Redi Mollës, më 28 mars 2024 dhe më tej GJKKO dha masën e sigurisë “arrest në burg”.

Vendimi zyrtar:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Iliriana Olldashi, sot më 10.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 188 akti, datë 01.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim R.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 531, datë 31.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësim mase sigurimi” dhe vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 531, datë 31.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, si më poshtë:

Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit R.M., me vendimin nr. 28, datë 28.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke urdhëruar të pandehurin R.M., të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: *.

Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit i të pandehurit R.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.

Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin në bashkëpunim me policinë gjyqësore, të zbatimit të urdhërimit të dhënë të pandehurit, nga kjo gjykatë.

U shpall sot në Tiranë, më datë 10.10.2025.