Ksenotransplantet hyjnë në një fazë të re, pacienti jeton për 171 ditë me mëlçinë e derrit

Mjekët në Kinë thonë se transplantuan një mëlçi derri të modifikuar gjenetikisht te një 71-vjeçar i cili jetoi për 171 ditë pas ndërhyrjes. Sipas studimit të publikuar në Journal of Hepatology, ai jetoi për 38 ditë me organin në gjendje të mirë.

Deri më tani ka pasur suksese në ksenotransplante me veshkat apo zemrën e derrit, por mëlçia është parë me skepticizëm. Zëvendësimi i mëlçisë me një organ derri është më i ndëërlikuar sepse ajo është e madhe, ka furnizim të dyfishtë me gjak dhe funksione të shumta.

Mëlçia filtron gjakun, largon toksinat dhe mbetjet, përpunon lëndët ushqyese, detoksifikon alkoolin dhe drogën, prodhon lëndë që ndihmojnë tretjen, proteina për mpiksjen e gjakut dhe ka rol kryesor në rregullimin e sheqerit në gjak.

Studimi thotë se transplantimi i mëlçisë nga derri te njeriu tregon premisa për përdorim si një urë për të ndihmuar një pacient me sëmundje të rëndë mëlçie që të jetojë mjaftueshëm gjatë sa mëlçia e tij të vetëriparohet apo të gjejë një dhurues organesh.

Mjekët e First Affiliated Hospital of Anhul Medical University transplantuan mëlçinë e një derri 11-muajsh te pacienti në maj 2024. Derri ishte një klon dhe në të ishin ndryshuar 10 gjene për të pakësuar mundësinë e infektimit ose refuzimit të organit. Pacientit iu dhanë ilaçe për të frenuar refuzimin e organit nga sistemi imunitar.

Fillimisht pacienti ishte shtruar për cirrozë të lidhur me hepatitin B, kishte një tumor të madh në anën e djathtë të mëlçisë që nuk ishte arritur të shpërbëhej nga kimioterapia.

Mjekët e hoqën tumorin dhe transplantuan mëlçinë e derrit te pjesa e mbetur e organit të pacientit. Transplanti rezultoi i suksesshëm. Mëlçia e derrit u bë menjëherë e kuqe dhe lëngu i tëmthit nisi të sekretohej, duke u rritur me kalimin e ditëve. Brenda ditës së parë u vu re një rritje e treguesve të tjerë të funksionimit të mëlçisë dhe nuk kishte shenja fillestare inflamacioni apo refuzimi.

Problemet nisën në ditën e 25-të kur zemra e pacientit nisi të shfaqte simptoma progresive stresi. Analizat në ditën e 28-të dhe 33-të treguan ndryshime inflamatore të lidhura me transplantin dhe mjekët ulën dozën e ilaçeve.

Pasuan shenja të tjera që tregonin se transplanti s’po funksiononte aq mirë sa në fillim pasi pllakëza gjaku po shkonin drejt organeve.

Në ditën e 37-të, tensioni i gjakut u rrit dhe rrahjet e zemrës u shtuan duke e bërë pacientin të përjetonte edhe gjendje të fikëti. Deri në këtë pikë, mëlçia e tij mendohej se mund të funksiononte mjaftueshëm, kështu që mjekët e hoqën organin e derrit në ditën e 38-të. Mëlçia e pacientit vijoi të funksiononte.

Në ditën e 135-të, ai kaloi në hemorragji të sipërme gastrointestinale dhe vdiq prej saj 171 ditë pas transplantit.

Autorët e studimit thonë se kërkimi u tregoi të dhëna të rëndësishme për sfidat dhe mundësinë e një transplanti të tillë. Transplantimi i mëlçisë së derrit te njeriu mund të mbështesë mëlçinë e pacientit duke konfirmuar realizimin klinik si strategji lidhëse.