Starmer: Marrëveshja për Gazën, moment lehtësimi global
Kryeministri britanik Keir Starmer e ka quajtur marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit për fazat fillestare të një plani për t’i dhënë fund luftimeve në Gaza “një moment lehtësimi të thellë që do të ndihet në mbarë botën”.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se palët ndërluftuese janë pajtuar për “fazën e parë” të planit të tij të paqes, që përfshin një ndërprerje të përkohshme të luftimeve dhe lirimin e disa pengjeve dhe të burgosurve.
“E mirëpres lajmin se është arritur një marrëveshje për fazën e parë të planit të paqes së Presidentit Trump për Gazën”, tha Starmer.
“Ky është një moment lehtësimi i thellë që do të ndihet në të gjithë botën, veçanërisht për pengjet, familjet e tyre dhe për popullsinë civile të Gazës, të cilët kanë përjetuar vuajtje të paimagjinueshme gjatë dy viteve të fundit”. “Përpjekjet e palodhura diplomatiketë Shteteve të Bashkuara, si dhe të Egjiptit, Katarit dhe Turqisë, kanë qenë vendimtare për të ecur drejt paqes”, theksoi Ai .
“Kjo marrëveshje duhet të zbatohet plotësisht, pa vonesa, dhe të shoqërohet me heqjen e menjëhershme të të gjitha kufizimeve për ndihmën humanitare jetike për Gazën”, shtoi Starmer
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbushin angazhimet që kanë marrë, të përfundojnë luftën dhe të ndërtojnë themelet për një përfundim të drejtë dhe të qëndrueshëm të konfliktit, si dhe një rrugë të qëndrueshme drejt paqes afatgjatë. Britania e Madhe do të mbështesë këto hapa të menjëhershëm dhe fazat e ardhshme të bisedimeve për zbatimin e plotë të planit të paqes”, përfundoi kryeministri britanik
Lajmi vjen vetëm dy ditë pas përvjetorit të dytë të 7 tetorit, sulmeve të grupit militant palestinez Hamas ndaj Izraelit, të cilat ndezën konfliktin aktual.

