“Ëndrrat e ëmbla” - Muza magjepsëse e skulptorit fiorentin, Antonio Frilli
Nuk mund të ishin ëndrrat më të ëmbla se kaq për muzën e mjeshtrit fiorentin, Antonio Frilli. “Ëndrrat e ëmbla”, kjo vepër e vitit 1892, paraqet një nudo femërore të shtrirë në një shtrat të varur, në përmasa reale, një gdhendje e bardhë mermeri që u ekspozua në San Francisko më 1915 dhe më pas udhëtoi nëpër botë përmes ankandeve e koleksioneve private. Përtej materialitetit të saj, ajo mbart peshën e një mitologjie moderne, të aftë të ngacmojë imagjinatën e çdo shikuesi. Jo më kot, romani i Gary Rinehart, Nude Sleeping in a Hammock (2013), u frymëzua prej saj, duke e kthyer statujën në protagonist të një sagë të trilluar që përshkruan ndikimin e saj në fatin dhe pasurinë e pronarëve ndër vite.
Ky mermer i bardhë, i kthyer në mish të gjallë nga dora e Frillit, nuk është vetëm një shfaqje e bukurisë fizike. Ai është një testament mbi hirin, delikatesën dhe qetësinë e përjetshme të trupit femëror. Figura e vajzës së zhveshur, e shtrirë në gjumë, përçon një sens të thellë paqësie e çlirimi. Dora e hedhur mbi trup, që lejon gjoksin të shfaqet lehtësisht, e bashkuar me këmbën që mbulon pjesërisht lakuriqësinë, krijojnë një kontrast mes pafajësisë dhe tundimit, mes mbrojtjes dhe dorëzimit. Këtu Frilli arrin të ngjizë një tension estetik, ku ndrojtja dhe shkujdesja shkrijnë kufijtë mes tyre.
Nuditeti në këtë skulpturë nuk është as i rastësishëm, as thjesht provokues. Ai është një ligjërim artistik, një mënyrë për të folur mbi dashurinë, dëshirën, por edhe mbi dëlirësinë e shpirtit femëror. Vajza e Frillit duket si një Evë e re, e cila, ndryshe nga ajo biblike, nuk përjashtohet nga Edeni, por e rikthen parajsën përmes bukurisë dhe butësisë së saj të heshtur.
Në “Ëndrrat e ëmbla” shfaqet fuqishëm mjeshtëria e Frillit si skulptor. Mjafton të shohësh mënyrën se si ai ka gdhendur rrjetën e shtratit të varur, që duket sikur përthith peshën e trupit pa asnjë përpjekje, ose draperitë e varura, ku mermeri imiton butësinë e stofit. Këto detaje e vendosin atë ndër mjeshtrit më të rafinuar të fund-shekullit XIX, të aftë të konkurrojnë me traditën klasike, por edhe të sjellin një frymë moderne, më intime dhe më sensuale.
Ky kontrast mes klasikës dhe modernes është thelbi i veprës: figura femërore, me një frymë bashkëkohore, qëndron në sfondin e teknikës tradicionale. Kështu, Frilli jo vetëm respekton traditën e madhe të skulpturës italiane, por edhe e rinovon atë, duke e përafruar me shijet e kohës së tij dhe me sensibilitetin e ri ndaj trupit dhe erotikes.
Jeta dhe veprimtaria e Frillit shënojnë një periudhë dinamike të artit italian. Që nga themelimi i ateliesë së tij në via dei Fossi në Firence më 1860, ai krijoi skulptura dekorative të cilat zbukurojnë varreza monumentale si Porte Sante dhe Allori, duke fituar famë edhe jashtë Italisë. Marrja pjesë në ekspozita ndërkombëtare si ajo e Filadelfias në 1876 apo e Melburnit në 1881 e bëri emrin e tij të njohur në Evropë, Amerikë dhe Australi. Pas vdekjes, djali i tij, Umberto, vijoi traditën, duke fituar çmime të mëdha, ndërsa veprat e Frillit vazhduan të mbeten objekt admirimi dhe koleksionimi.
Në vitin 1999, Sotheby’s e nxori këtë kryevepër në ankand me një vlerësim prej 800.000 dollarësh, duke dëshmuar se “Ëndrrat e ëmbla” nuk janë vetëm ëndrra të gdhendura në mermer, por edhe një pasuri kulturore dhe shpirtërore që vijon të frymëzojë. Sepse arti i Frillit nuk është thjesht mjeshtëri teknike, por një përpjekje për të përjetësuar bukurinë, për ta kthyer momentin e gjumit të një vajze në një metaforë të përjetshme të ëndrrës njerëzore për paqe, dritë dhe dashuri.
Në “Ëndrrat e ëmbla”, Antonio Frilli nuk thjesht gdhendi një trup femëror në mermer, por ngriti një urë mes artit klasik dhe shpirtit modern të kohës së tij. Ai arriti ta ngjizë ndjeshmërinë e natyrës njerëzore në një gjendje krejt të natyrshme, gjumin, dhe ta shndërrojë në një poezi të trupëzuar, ku lakuriqësia nuk është provokim, por harmoni; jo skandal, por mister i bukurisë së përjetshme. Në këtë vepër, Frilli dëshmon se arti i madh nuk fle, ashtu si nuk plaket as ëndrra e njeriut për ta parë veten të mishëruar në dritën e së bukurës, në sublimen e një krijimi që kapërcen kohën.

