VIDEO/ Kuvendi 1 minutë zi për gjyqtarin Kalaja, Tabaku: Ajo që ndodhi dje ka kaluar përtej çdo limiti
Në komisionet parlamentare puna ka nisur me mbajtjen e një minute zi në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja i cili u vra dje barbarisht në sallën e gjyqit të Gjyaktës së Apelit.
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku deklaroi se ajo që ndodhi dje ka kaluar përtej çdo limiti.
“Të gjithë jemi tronditur nga ajo çfarë pamë dhe dëgjuam dje nga Gjykata e Apelit dhe ajo që ndodhi ka kaluar përtej çdo limiti”, u shpreh ndër të tjera ligjvënësja demokrate Jorida Tabaku.

Deklaratat e saj Tabaku i bëri gjatë mbledhjes së përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku në rend të ditës është Raporti i veprimtarisë vjetore të Avokatit të Popullit (AP) për vitin 2024.
Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja e cilësoi vrasjen e gjyqtarit si akt barbar dhe që autorët e ngjarjes duhet të marrin ndëshkim shembullor.

Manja tha se kjo ngjarje duhet të shërbejë si kambanë alarmi për sigurinë e punonjësve të drejtësisë.
“Nisur nga ngjarja e djeshme ku dora e krimit u ngrit mbi togat e zeza duke i marrë jetën gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, në krye të detyrës, biem dakord se ky është një akt i rëndë kriminal një akt barabar dhe meriton ndëshkimin shembullor të autorëve të ngjarjes”, tha Manja.
“Vrasja e gjyqtarit në krye të detyrës, në një ambient ku presupozohet se është vendi më i sigurt për të ushtruar detyrën, është dhe një kambanë alarmi që ka të bëjë me sigurinë e punonjësve të drejtësisë. Në emër të dy komisioneve shumë prej nesh e kanë njohur Astrit Kalanë, ndaj ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të tij”, tha Manja.
Një minutë heshtje u mbajt edhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.
Minuta e heshtjes u propozua nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai tha se Kuvendi nuk mund të bëjë sikur s’ka ndodhur asgjë ndërsa është vrarë një prej gjykatësve më me integritet të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit sapo dha vendimin. Autori i ngjarjes, i cili ishte palë e tretë në proces, u arrestua, ndërsa në pranga, policia ka vënë edhe dy të tjerë, xhaxhain e autorit si dhe punonjësin e sigurisë në Gjykatën e Apelit.

