Manipulimi Algoritmik ose pasqyra e thyer e realitetit dixhital
Në mediat klasike, publiku sheh atë që vendos redaksia. Në rrjetet sociale, duket sikur sheh atë që do vetë. Por në të vërtetë, sheh atë që algoritmi mendon se do. Nga linja editoriale e mediave, kalojmë tek dëshira e perceptuar e brendshme e individit, një iluzion i personalizuar.
Kjo nuancë është thelbësore. Sepse aty ku tek televizioni të lind dyshimi “po më manipulojnë”, në rrjete sociale ai dyshim zhduket: aty ke përshtypjen se sheh thjesht reflektimin e vetes, të klikimeve dhe “like”-ve të tua. Në fakt, realiteti është thyer që në burim.
Ky kontroll nuk kërkon policë, nuk kërkon gjoba, nuk kërkon dhunë. Ai bazohet vetëm në teknologjinë që përdorim çdo ditë. Algoritmi është roja i padukshëm i portës së informacionit: vendos çfarë sheh, në çfarë rendi dhe me çfarë intensiteti. Kush e di si ta ushqejë algoritmin, kontrollon perceptimin publik.
Për ta manipuluar algoritmin duhen tre elementë kryesorë, të cilat, në çdo sistem apo regjim, i disponon vetëm pushteti.
Së pari, kuptimi i funksionimit të tij. Ky është hapi themelor dhe më i lehtë për t’u arritur. Rasti i Cambridge Analytica apo eksperimenti politik i Lëvizjes 5 Yje në Itali treguan se kushdo që zotëron njohuritë mbi mekanizmat e algoritmeve, mund t’i përdorë ato për të shtrembëruar perceptimin publik. Këto metoda janë përshkruar me hollësi nga Giuliano Da Empoli në librin Inxhinierët e Kaosit dhe në literaturën e gjerë që pasqyron lindjen e kësaj “shkence të re” të manipulimit politik. Rama nuk ka shpikur asgjë, por ka ditur të përvetësojë këto mekanizma dhe t’i bëjë pjesë organike të pushtetit të tij.
Së dyti, një bazë e gjerë të dhënash. Algoritmi ushqehet me informacion. Sa më i detajuar të jetë ky informacion për qytetarët aq më të personalizuara dhe të padukshme bëhen mesazhet manipuluese.
Shumë përpara se të fillonte fushata, pushteti kishte në dorë një database të pashembullt të të dhënave personale: nga numri i telefonit, tek vendbanimi, vendi i punës, lidhjet familjare dhe deri tek bindjet politike të supozuara. Kjo nuk është thjesht shkelje e privatësisë, është krijimi i një harte të saktë të ndërgjegjes së vendit.
Kur njeh individin deri në këtë nivel, mund të krijosh mesazhe të personalizuara që nuk duken si propagandë sepse janë të qepura sipas profilit të tij psikologjik dhe social. Kjo është arma shumë e rrezikshme. Qytetari nuk e kupton më që po i flitet nga pushteti, por mendon se po i flet vetja.
Së treti, një ushtri “botësh” për ta mbështetur narrativën. Shqipëria ka një fenomen unik: një administratë publike e fryrë në përmasa të paarsyeshme, jo për t’i shërbyer qytetarit, por për t’i shërbyer pushtetit. Kjo administratë shndërrohet, në periudhat elektorale dhe jo vetëm, në një ushtri bot-ësh njerëzorë: mijëra punonjës (plotësuar nga profile të rremë) që, me urdhër, bëjnë “like”, “share” dhe komentojnë pozitivisht çdo postim të qeverisë.
Ky është manipulimi algoritmik në formën e tij më të pastër: pa shpenzuar miliona për reklama, pushteti arrin të ushqejë algoritmin me sinjale pozitive artificiale. Dhe algoritmi, i verbër ndaj motiveve politike, e shpërblen këtë aktivitet duke e çuar mesazhin e qeverisë në krye të fluksit të lajmeve të qytetarëve.
Një kulm i këtij sistemi ishte krijimi i aplikacionit “Aktivist”, një platformë e mbyllur për militantët dhe sidomos për punonjësit e administratës. Përmes tij, shpërndaheshin postimet që duhej të “shtyheshin” në rrjetet sociale, udhëzimet për mënyrën si duhej të komentoheshin, dhe lista e hashtagëve që duhej të përdorësh.
Në thelb, ishte një komandë qendrore për një ushtri të shpërndarë virtualisht: çdo klikim, çdo reagim, çdo shpërndarje bëhej sipas një strategjie të planifikuar, jo sipas bindjes personale.
Shqiptarët janë shumë aktivë në rrjete sociale. Kjo i jep pushtetit një avantazh të madh: në vend që të bindë një publik të gjerë përmes mediave tradicionale, mund të krijojë një realitet virtual të personalizuar për çdo individ.
Rezultati është një pasqyrë e thyer: çdokush sheh një fragment të realitetit që përputhet me botëkuptimin e tij ose me emocionin që pushteti dëshiron t’i ngjallë në atë moment. Një qytetar sheh vetëm lavdërime, një tjetër sheh vetëm sulme ndaj opozitës dhe secili është i bindur se ky është “realiteti” që shohin të gjithë. Kur kjo ndodh në shkallë kombëtare, realiteti nuk është më një fakt i përbashkët, por një mozaik perceptimesh të manipuluara. Dhe kur qytetarët nuk ndajnë të njëjtin realitet, nuk mund të kenë as të njëjtën bazë për vendimmarrje politike.
Ndryshe nga propaganda klasike, manipulimi algoritmik nuk duket si propagandë. Nuk të vjen nga një zyrtar i qeverisë, por nga një shok, një koleg, një fqinj, që ka shpërndarë një postim “interesant”. Nuk të ndalohet të flasësh, thjesht nuk shihet ajo që thua. Nuk të censurojnë, thjesht të zhysin në një oqean përmbajtjesh ku fjala jote humbet.


