Autor i atentatit mafioz në Brescia, arrestohet shqiptari. Zbulohet rrjeti kriminal italo-shqiptaro-maroken

Një shqiptar 33-vjeçar është arrestuar nga autoritetet italiane si i dyshuari kryesor për atentatin mafioz të ndodhur më 1 mars 2024 në Montichiari të Brescias, ku mbeti i vrarë një sipërmarrës italian. Mediat italiane raportojnë se ai është autori i ekzekutimit dhe kreu i grupit kriminal.

Sipas Prokurorisë italiane, shqiptari kishte krijuar një rrjet kriminal në bashkëpunim me një sipërmarrës italian dhe disa shtetas marokenë, të cilët merreshin me trafik kokaine në zonën e Brescias, ndërsa nga operacioni u arrestuan gjithsej tetë persona.

Policia zbuloi edhe dy struktura të tjera të përfshira në mashtrime tatimore dhe përdorim të faturave fiktive me vlerë mbi 450 mijë euro, ndërsa operacioni u shtri në shtatë provinca italiane (Brescia, Milano, Bergamo, Verona, Mantova, Ferrara dhe Rovigo) dhe përfshiu njësi speciale, qen “cash dog” dhe njësi NAS për kontrolle mbi substanca të ndaluara.