Komisioneri Dervishi: Trajtuam mbi 1000 ankesa gjatë vitit 2024, kryesisht nga qytetarët

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi prezantoi sot raportin e veprimtarisë së këtij institucioni për vitin 2024 në komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

Në fjalën e tij, Dervishi theksoi se “sa i përket monitorimit të transparencës proaktive nga 355 autoritete publike që janë të listuar 331 prej tyre, kanë publikuar programin e transparencës që është instrumenti ku autoritetet publike paraqesin të gjithë informacionin zyrtar”.

Gjatë vitit 2024, bëri me dije komisioneri, pranë autoriteteve publike janë depozituar gjithsej 11 549 kërkesa për informacion.

Dervishi theksoi se pranë zyrës së Komisionerit janë paraqitur dhe shqyrtuar së bashku me ato të mbartura nga viti kaluar mbi 1000 ankesa.

Nga vlerësimi i ankesave në 2024, janë trajtuar 939 ankesa të administruar si dhe 86 procedura të mbartura nga 2023, gjithsej 1025.

“Ajo që duhet theksuar sa i përket këtyre ankesave është se kategoria kryesore që paraqet ankesa pranë Komisionerit janë qytetarët, natyrisht një rol të rëndësishëm luajnë edhe mediet, dhe shoqëria civile”, tha Dervishi.

Komisioneri theksoi se pjesa më e madhe e ankesave depozitohet ndaj njësive të qeverisjeve vendore.

“Ndaj njësive të vetëqeverisjes vendore, janë depozituar 33%-34%, pra 332 ankesa, ndërsa ndaj autoriteteve publike të tjera në total janë 607 ankesa. Bashkitë kanë numrin më të madh të ankesave që depozitohen pranë zyrës së Komisionerit”, tha Dervishi.

Komisioneri Dervishi listoi edhe disa problematika me të cilat hasen autoritete publike në kërkesat për informacion.

“Autoritetet publike kanë ngritur shqetësimin e kërkesave voluminoze, që kërkojnë shumë statistika. Mungesa e stafit, bëjnë që të dalin përtej afatit. Ka paqartësi nga autoritetet publike në lidhje me të drejtën e autorit në subjekte. Një problem tjetër, kontratat publike vazhdojnë të parashikojnë dispozita konfidencialiteti për informacion dhe dokumentacionit që lidhet me to”, tha Dervishi.

Dervishi u ndal edhe risi sa i përket shërbimeve digjitale.

“Kemi krijuar kryesisht me donacione, regjistrin elektronik të kërkesave dhe përgjigjeve për të drejtën e informimit i cili është integruar me portalin Pyet Shtetin.al. instalimi i këtij softi është realizuar në 247 autoritete publike. Duhen financime dhe burime njerëzore për ta çuar akoma më tej, për ta vënë në shërbim sa më të mirë të qytetarëve”, tha Dervishi.

Për sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, Dervishi tha se gjatë vitit 2024 janë trajtuar gjithsej 455 ankesa. Dervishi përmendi si tipologji kryesore cenimin e të drejtave të subjekteve të të dhënave personale, e drejta për akses, korrigjim, përhapja e të dhënave personale pa pëlqimin e subjektit të dhënave personale, përpunimi i të dhënave në mënyrë jo të drejtë dhe të ligjshme, përhapja e të dhënave personale në media dhe portale online.

Nënkryetarja e komisionit Iris Luarasi në fjalën e saj tha se “viti 2024 ka shënuar periudhë vendimtare sa i përket avancimit të mekanizmit të mbrojtjes së të dhënave personale me miratimin e ligjit për të dhënat personale.

“Zyra ka kontribuar në proceset e negociatave për integrim. Vlerësimi nga Komisioni Evropian është pozitiv, sfidë mbetet detyra për forcimin e kapaciteteve institucionale”, tha Luarasi.

Nga ana tjetër, kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku theksoi se “ligji për mbrojtjen e të dhënave personale është i përafruar, por në gjykimin tim jo 100%”.

“Ne paraqitëm dy amendamente që nuk u morën parasysh por që përafronin ligjin 100% me BE-në. Ligji në teori mund të jetë i mirë, por procesi i integrimit nuk është teorik akademik por praktik”.