Rama për Vëllezërit Zena: Mehdi dhe Demir ruajnë shpirtin e këngës qytetare elbasanase

Luan Rama: 

Portrete artistësh:

VËLLEZËRIT E KËNGËS

Mehdi dhe Demir Zena, kanë më shume se një gjysmë shekulli që janë shpërfaqur dhe përveçuar ndër interpretuesit e shumtë të këngës sonë popullore, si vëllezërit e këngës.

Kënga qytetare e Shqipërisë së Mesme në tërësi, e veçmas, kënga qytetare e Elbasanit, gjeti në ta interpretuesit e talentuar dhe të dedikuar shpirtërisht.

Që herët kur sapo u shfaqën në skenë, ata u bënë një referencë identitare e këngëve të mjeshtrit elbasanas Isuf Myzyri.

Vëllezërit e këngës, jo vetëm iu dhanë jetë këngëve të ustait të Elbasanit, por, falë interpretimit mjeshtëror ku dashuria për këngën dhe cilësia vokalë trupëzohen në zërin e tyre me një timbër të veçantë, na dëshmojnë se çfarë vlere merr kënga kur atë e këndojnë vëllezërit Zena.

Zërat e tyre melodiozë dhe me me një ngrohtësi vibruese e plot ngjyrë që plotësojnë me një përputhshmëri perfekte njëri-tjetrin, të imponojnë ndjesinë se kanë lindur enkas për ato këngë, aq sa edhe këngë të autorëve të tjerë të kënduara prej tyre, prej shumëkujt perceptohen si këngë të Isuf Myzyrit.

Me vëllezërit Zena jam njohur 37 vjet më parë, e për këtë me duhet t’i shpreh mirënjohjen “Artistit të Popullit”, regjisorit e aktorit të madh e të paharruar Serefin Fanko.

Në Shkodër, nën regjinë e tij po përgatitej atëkohë koncerti i parë recital i këngëtarit Bujar Qamili. Regjisori Serafin Fanko më pat zgjedhur mua që bashkë me aktoren e teatrit “Migjeni” Paskualina Gruda të ishim prezantuesit e atij koncerti. Vëllezërit

Zena ishin të ftuar nderi. Kështuqë unë pata rastin jo vetëm t’i prezantoj, por edhe t’i njoh nga afër kur ata ishin në kulmin e karrierës së tyre artistike.

Rrugëtimi i tyre nëpër këngë është si udhëtimi nëpër një mozaik të tërë shumëngjyrësh. Kjo i ka bërë ata të dashur e gjithmonë të mirëpranuar për artdashësit, pavarësisht se në cilën skenë, në cilin shesh qyteti apo fshati apo se në cilën veprimtari këndojnë.

Pa asnjë dyshim, është meritë e zotësi e madhe që ia kanë dalë ta ruajnë këngën e tyre të paprekur nga nuanca apo ndikime zvetënuese, të servirura gjoja në emër të tregut.

Krejt rastësisht u gjenda me më të madhin prej dy vëllezërve të këngës, me Mehdiun, në një dasmë.

Edhe pse i ka kaluar 79 vjet, mosha e tij e vërtetë nuk matet me vite. Mosha e tij matet me këngë.

Me zërin të plotë dhe këngën në shpirt, thjeshtë e bukur, Mehdi Zena di të falë edhe sot siç ka bërë gjithmonë, vetëm mirësi dhe art me bujarinë e fisme të një zotërie të këngës, të një zotërie Elbasani.