Një vepër arti nga piktorja hungareze për “Mbretëreshën Geraldinë”

Java e Kulturës Hungareze ia kushtoi një ditë të sajën Mbretëreshës Geraldinë. Ambasada hungareze në Tiranë dhe Fondacioni “Mbretëresha Geraldinë” i dhuruan një vepër arti maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

Piktura është realizuar nga artistja hungareze e artit abstrakt Anna Konya, e cila jeton aktualisht në Shqipëri. Piktura nderon trashëgiminë e mirësisë dhe forcës së mbretëreshës, ndërkohë që prania e veprave të artit nëpër spitale sjell ngushëllim dhe një atmosferë më të lehtë. Në 110- vjetorin e lindjes së Mbretëreshës Geraldinë, fëmijët e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, u ftuan të nderojnë kujtimin e saj përmes një konkursi vizatimi. Trashëgimtari i familjes mbretërore, princ Leka II ndau dhe çmimet e fituara nga fëmijët. Frymëzuar nga eleganca, mirësia dhe forca e saj e qetë, të simbolizuara nga trëndafili i bardhë, aktiviteti vuri në pah dhe rolin e saj të veçantë në kujtesën e kombit.

Në historinë moderne të Shqipërisë, pak figura të huaja kanë lënë një gjurmë kaq të thella dhe të ndjeshme sa Mbretëresha Geraldinë. Ndonëse nuk ishte shqiptare nga gjaku, ajo fitoi zemrën e një populli të tërë përmes qëndresës, humanizmit dhe përkushtimit që tregoi ndaj Shqipërisë dhe fatit të saj, në një nga periudhat më të trazuara të shekullit XX. Geraldine Apponyi lindi më 6 gusht 1915 në Budapest, në një familje aristokrate me prejardhje hungareze dhe amerikane. Nëna e saj, Gladys Virginia Steëart, ishte një zonjë e pasur amerikane nga Ohio, ndërsa babai, Konti Gyula Apponyi de Nagy-Appony, ishte një diplomat i njohur dhe pjesëtar i një prej familjeve më të mëdha të fisnikërisë hungareze. Rritja e saj ndodhi në një ambient të rafinuar, ku kultura, arti dhe edukimi i lartë përbënin thelbin e jetës familjare. Por, pavarësisht privilegjeve të lindjes, fati nuk do t’i buzëqeshte gjithmonë.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe rënies së Perandorisë Austro-Hungareze, familja e saj humbi pjesën më të madhe të pasurisë. Ajo do të punonte si muzeologe në Budapest për të ndihmuar familjen, një gjest që do të tregonte më vonë karakterin e saj të fortë dhe të përulur. SHQIPËRIA DHE MËRGIMI Në vitin 1937, ndërsa Shqipëria përpiqej të ndërtonte një identitet të qëndrueshëm kombëtar dhe institucional nën udhëheqjen e Mbretit Zog I, u bë publike lidhja e tij me një vajzë hungareze që shumë shpejt do të bëhej Mbretëresha e shqiptarëve. Ajo ishte Geraldina. Martesa e tyre u kurorëzua më 27 prill 1938 në Tiranë, në një ceremoni madhështore mbretërore, e cila u pa jo vetëm si një bashkim mes dy njerëzve, por si një aleancë kulturore mes Shqipërisë dhe Europës.

Populli shqiptar e priti Geraldinën me kureshtje dhe ngrohtësi dhe ajo, nga ana e saj, iu përgjigj me dashuri të sinqertë dhe respekt të thellë për vendin që e pranoi si mbretëreshë. Në dhjetor të po atij viti, çifti mbretëror solli në jetë një djalë, Princin Leka, trashëgimtarin e fronit. Fatkeqësisht, lumturia e tyre në Shqipëri zgjati shumë pak. Në prill të vitit 1939, vetëm pak muaj pas lindjes së Princit Leka, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Familja mbretërore u detyrua të largohej me urgjencë, duke nisur një jetë të gjatë në mërgim q do të zgjaste dekada të tëra. Geraldina do të shëtiste botën si një mbretëreshë pa fron nga Greqia, në Turqi, Egjipt, Francë, Spanjë, Madagaskar e deri në Afrikën e Jugut. Në të gjitha vendet ku qëndruan, ajo tregoi një përkushtim të palëkundur ndaj bashkëshortit të saj, Mbretit Zog, ndaj birit të saj, dhe ndaj çështjes shqiptare. Pavarësisht vështirësive, ajo kurrë nuk e humbi dinjitetin dhe shpesh, në intervistat e saj të rralla, fliste me dashuri për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, të cilët i ndjente si pjesë të pandarë të jetës së saj.

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, Shqipëria u hap sërish ndaj botës dhe historia e mbretërisë, e ndaluar për dekada, nisi të rizbulohej. Më në fund, në vitin 2002, pas më shumë se 60 vitesh mërgim, Mbretëresha Geraldinë u rikthye në atdheun e saj të dytë, bashkë me Princin Leka. Në Shqipëri, ajo u prit me nderime dhe respekt, si një figurë historike e gjallë që bartte kujtimet e një epoke të shkuar, por ende të gjallë në kujtesën e shumë shqiptarëve. Qëndrimi i saj zgjati vetëm disa muaj, pasi më 22 tetor 2002, Mbretëresha Geraldinë ndërroi jetë në Tiranë, në moshën 87-vjeçare. Ajo u varros me nderime në Mauzoleumin Mbretëror në Tiranë.

Mbretëresha Geraldinë nuk mbahet mend vetëm si bashkëshortja e një monarku, por si një figurë që mishëronte virtyte të rralla: dashurinë, përkushtimin, dinjitetin dhe humanizmin. Ajo nuk mori kurrë pjesë në politikë dhe as nuk kërkoi pushtet për vete, por ndikimi i saj ishte i thellë dhe i qëndrueshëm. Sot, emri i saj është i lidhur me shkolla, fondacione dhe rrugë që mbajnë kujtimin e saj gjallë. Figura e saj është gjithnjë më shumë pjesë e debatit kulturor dhe historik shqiptar, si simbol i një kohe të humbur, por edhe e një ëndrre për një Shqipëri më fisnike dhe më e drejtë. Mbretëresha Geraldinë ishte dhe mbetet një nga figurat më të dashura për shqiptarët, një grua që e zgjodhi Shqipërinë me zemër, dhe që i qëndroi besnike deri në frymën e fundit.