Ekspozita e Jutta Benzenberg, udhëtim mes kujtesës, humbjes dhe rilindjes artistike
Në pavijonin e përkohshëm të ngritur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, vijon të tërheqë vëmendjen ekspozita e fotografes Jutta Benzenberg, “Mos kthe kokën nga shtëpia që digjet”.
Ekspozita sjell në Tiranë një udhëtim mes kujtesës, humbjes dhe rilindjes artistike. Imazhet e Shqipërisë së viteve ’90 marrin jetë përmes tre kapitujve: portrete dhe skena të përditshme nga tranzicioni, kolazhe të krijuara nga fragmentet e arkivit të fotografes, dhe për herë të parë, vetë negativët e djegur nga zjarri i vitit 2006, i cili shkatërroi rreth 90 për qind të punës së saj.
Së bashku me Olsi Hoxhën, kuratorin e ekspozitës, Jutta Benzenberg punoi me negativët e djegur dhe rezultati i këtij procesi tashmë shihet në imazhe që qëndrojnë mes fotografisë dokumentare dhe artit. Këto imazhe prezantohen njëkohësisht edhe në librin “Don’t Look Back at the Burning House” të Benzenberg.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e konsideroi këtë ekspozitë si një pasqyrë të historive të përbashkëta të një vendi.
“Një ekspozitë që fton vizitorin të shohë përtej humbjes materiale, duke zbuluar si arti mund të rikthehet si rrëfim personal, ashtu dhe si pasqyrë e historive të përbashkëta të një vendi”, shkroi ministri Gonxhja, në rrjetet sociale.
Ekspozita mund të shihet falas, çdo ditë, nga ora 10:00-20:30 në Galerinë HBS, Pavijoni i Përkohshëm në sheshin “Skënderbej”.

