Macron në Ditën e Unitetit Gjerman: Demokracitë e Evropës janë në rrezik
Duke folur në një aktivitet që shënoi 35-vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë, presidenti francez Emmanuel Macron, paralajmëroi se Evropa duhej të përgatitej për të përballuar ndryshime masive politike dhe ekonomike në të gjithë globin.
Macron, përsëriti disa pjesë të mesazhit të kancelarit gjerman, Friedrich Merz duke argumentuar se Evropa po kalonte një “degjenerim të demokracisë” për shkak të sulmeve në fronte të ndryshme, sipas “Politico”.
“Ne jemi të kërcënuar edhe nga jashtë. Por nuk duhet të tregohemi naivë. Nga brenda po kthehemi kundër vetes, dyshojmë në demokracinë tonë”, tha ai.
“Ne shohim kudo se diçka po i ndodh strukturës sonë demokratike. Debati demokratik po shndërrohet në një debat urrejtjeje”, tha Macron.
“Pjesa më e madhe e këtij degjenerimi është për shkak të diskursit online në platformat e kontrolluara nga kompanitë amerikane dhe kineze”, tha ai.
“Ne kemi qenë fajtorë … për dorëzimin e hapësirës sonë publike demokratike në rrjetet sociale – në pronësi të sipërmarrësve të mëdhenj amerikanë dhe kompanive kineze, interesat e të cilëve nuk janë aspak mbijetesa dhe funksionimi i mirë i demokracisë sonë”, tha Macron.
Të dy udhëheqësit thanë se Evropa duhej të ndërtonte konkurrencën e saj ekonomike për të pasur forcën për t’u përballur me sfidat e një bote që po ndryshon me shpejtësi.
“Rendi ekonomik global po rishkruhet, po rindërtohet”, tha Merz.
“Egoizmi po bëhet përsëri më i dukshëm. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse jemi bërë ekonomikisht më të dobët dhe pse premtimet sociale që i kemi bërë njëri-tjetrit janë shumë më të vështira për t’u përmbushur sot sesa ishin më parë”, shtoi kancelari gjerman.
Merz i bëri thirrje Evropës të kundërshtonte valën e re të proteksionizmit në botë – duke vënë ne zbatim rregulla të reja tregtare dhe duke kërkuar tregje të reja.
Më 3 tetor 1990, Gjermania Lindore dhe Gjermania Perëndimore u bashkuan për t’u bërë Republika Federale e Gjermanisë.
Në fjalimin e tij 30-minutësh, Macron paralajmëroi se lufta ishte rikthyer në kontinent, megjithatë, duke treguar sulmet e pamëshirshme të Rusisë ndaj Ukrainës gjatë tre viteve të fundit.
Ai përmendi gjithashtu sulmet kibernetike të Moskës, fushatat e dezinformimit dhe shkeljet e hapësirës ajrore.
“Fatkeqësisht, ne e gjejmë veten sërish në një kohë konfrontimi. Përballë kësaj, ne kemi arritur të qëndrojmë të bashkuar”, tha Macron.
“Për herë të parë, Evropa po merr formë si një fuqi ushtarake – jo për të zhvilluar luftë, por për të mbrojtur territorin dhe vlerat e saj”, tha ai.
