Hapat për të kryer një pagesë në Zonën e Pagesave në euro

Banka e Shqipërisë njofton se nga 7 tetori 2025, qytetarët dhe bizneset në Shqipëri do të kenë mundësi të kryejnë pagesa në euro brenda hapësirës evropiane përmes sistemit SEPA (Zona e Pagesave në Euro).

Duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për integrimin financiar të vendit, BSH-ja  informon qytetarët dhe bizneset, për hapat që ndiqen për të kryer një pagesë në SEPA:

1- Fillimisht sigurohuni që pagesa është në euro (€)

SEPA lejon vetëm pagesa në valutën euro. Llogaria juaj duhet të jetë në euro ose të ketë mundësi të kryejë transaksione në euro.

2- Merrni IBAN-in e saktë të përfituesit.

IBAN-i është i domosdoshëm për çdo pagesë SEPA. Ai përcakton saktë llogarinë ku do të shkojnë paratë. Parandalon gabimet në transaksione dhe është standard i pranuar në të gjithë Evropën.

Për shembull IBAN-i në euro në Shqipëri:
AL47 2121 1009 0000 0002 3569 8741

3- Plotësoni të dhënat në platformën bankare

Shkoni në degë ose përdorni aplikacionin online të bankës suaj dhe plotësoni:
• Emrin e përfituesit
• IBAN-in në euro
• Shumën që dëshironi të dërgoni
• Përshkrimin e pagesës (opsional)

4- Konfirmoni transaksionin

Pas kontrollit të të dhënave, autorizoni pagesën.

Pagesa SEPA zakonisht procesohen brenda një dite pune, me kosto shumë të ulët ose edhe falas, varësisht nga banka.

BSH-ja bën të ditur se, pagesat në SEPA janë më të shpejta dhe më efikase brenda Evropës; kostot janë më të ulëta ose të barabarta me ato kombëtare; ndiqet e njëjta procedurë për të gjitha vendet pjesëmarrëse dhe rrit sigurinë dhe transparencën për individët dhe bizneset.