Tre impiante fotovoltaike me kapacitet total 105,6 MW aplikojnë pranë MIE
Interesi për ndërtimin e impianteve fotovoltaike vijon të rritet, si rezultat i politikave nxitëse të qeverisë për zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe diversifikimin e burimeve energjetike.
Së fundmi, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë paraqitur tre aplikime të reja për ndërtimin e centraleve diellore, me një kapacitet të kombinuar prej 105,6 MW.
Shoqëria “GREEN VOLT” ka kërkuar leje për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet 70 MW në bashkinë Memaliaj.
Po ashtu, kompania “ARMEN SOLAR” ka aplikuar për një impiant me kapacitet 30 MW, që parashikohet të ndërtohet në njësinë administrative Armen, në bashkinë Selenicë.
Ndërkohë, “GREEN ENERGY GROUP” synon të ndërtojë një impiant më të vogël, me kapacitet 5,6 MW, në fshatin Pjetroshan, bashkia Malësi e Madhe.
Këto kërkesa pasqyrojnë rritjen e vazhdueshme të interesit për investime në energjinë e rinovueshme, të nxitur nga reformat ligjore, lehtësimi i procedurave dhe objektivat strategjikë të vendit për dekarbonizim.
Aktualisht, rreth 10% e energjisë së prodhuar në vend vjen nga impiantet fotovoltaike.
Në vijim, synimi është shtimi i 500 MW të tjerë nga burime të rinovueshme dhe arritja e objektivit ambicioz prej 1500 MW deri në vitin 2030.
