BRITANIA: JO AZIL ME “ALIBI”/ Preken edhe shqiptarët, Starmer: Shmangim bllokimet e deportimeve me “Të drejtat e njeriut”

Kryeministri britanik Keir Starmer dëshiron të ndryshojë mënyrën se si interpretohet e drejta ndërkombëtare, për të ndaluar azilkërkuesit e refuzuar që të bllokojnë deportimin në vendet e origjinës me argumentin se mund të dërgohen në burgje apo sisteme shëndetësore më të këqija.

Kreu i qeverisë së Londrës, tha për BBC se nuk dëshiron të “rrënojë” ligjet për të drejtat e njeriut, por është i gatshëm të rishikojë nenin tre të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili mbron nga tortura dhe trajtimi degradues.

“Sigurisht që do mbrojmë njerëzit që ikin nga lufta dhe persekutimi, por nuk është normale që dikush të mos dëbohet vetëm sepse spitali apo burgu në vendin e tij është më i keq. Ka një ndryshim të madh mes kthimit të dikujt drejt ekzekutimit të menjëhershëm dhe dërgimit të tyre në një vend me sisteme të ndryshme të kujdesit”.

Kryeministri britanik tha se migracioni masiv gjatë viteve të fundit e bën të domosdoshme një ndryshim, por ata që me të vërtetë ikin nga persekutimi duhet ende të përfitojnë azil.

“Ligjet duhet të aplikohen në përputhje me realitetin e tanishëm. Nuk po flasim për t’i shkatërruar ato, por për t’i interpretuar në mënyrë më të përshtatshme për kohën që po jetojmë”.

Qeveria britanike ndërkohë ka propozuar reforma në sistemin e apelit për azil, ku do të krijohet një organ i pavarur profesionalë për shqyrtimin e kërkesave sa më shpejt, me synimin të “shpejtojë sistemin, të ulet numri i dosjeve në pritje dhe të eliminohet përdorimi i hoteleve për azilkërkuesit.”

Këto ndryshime të politikave,  vlerësohet se prekin edhe azilkërkues shqiptarë në Britaninë e Madhe, ku sipas të dhënave të vitit 2022  u shënuan mbi 16,000  kërkesa.

Por me marrëveshjet që Mbretëria e Bashkuar ka bërë me Shqipërinë, kthimet e shqiptarëve janë ndër më të shpeshtat në vendet e kthimeve të zbatuara. Sipas të dhënave zyrtare në vitin që përfundoi në qershor 2025, shqiptarët përbënin ~28 % të kthimeve të detyrueshme nga Britania e Madhe