Samiti danez/ Udhëheqësit e BE në Kopenhagen, në fokus siguria dhe mbështetja për Ukrainën

Udhëheqësit e BE mbërrijnë në Kopenhagen. Këtë të mërkurë në Kopenhagen liderët europianë mblidhen për të diskutuar mbështetje për Ukrainën dhe mbrojtjen e përbashkët të bllokut.

Ky takim zhvillohet mes presioneve të shtuara, pas një sërë ndërhyrjesh ruse në hapësirën ajrore të BE dhe disa ditë pasi dronët shënjestruan aeroportet daneze.

Danimarka ka shtuar masat e sigurisë përpara këtij Samiti, duke i ndaluar të gjitha fluturimet e dronëve civilë deri të premten dhe duke vendosur kufizime të rrepta për trafikun në Kopenhagen.

Një tjetër projekt kryesor, i quajtur Eastern Flank Watch, synon të fortifikojë kufijtë lindorë të BE-së nga deti, ajri dhe toka për t’u mbrojtur.

Von der Leyen tha se BE-ja do të duhet të bashkëpunojë për këtë si me NATO-n ashtu edhe me Ukrainën.

Udhëheqësve të BE-së do t’u prezantohen planet për një “hartë rrugore” që synon forcimin e mbrojtjes dhe zhvillimin e industrive mbrojtëse të Evropës deri në fund të dekadës për të prodhuar pajisje ushtarake të teknologjisë së fundit. Planet do të përpunohen më pas me NATO-n përpara se udhëheqësit e BE-së të takohen përsëri këtë muaj, shkruan BBC.

Sipas planeve për të qenë “gati për vitin 2030”, Evropa duhet të veprojë tani në mënyrë që aftësitë e saj të jenë të përgatitura për “fushëbetejat e së nesërmes”.