Sllovakia miraton ligjin që njeh vetëm dy gjini dhe ndalon birësimet për çiftet LGBTQ+! "Mërzitet" media britanike: Ditë e errët

Parlamenti i Sllovakisë ka miratuar një ndryshim të rëndësishëm kushtetues, ku tashmë do të njihen ligjërisht vetëm dy gjini, mashkull dhe femër. Po ashtu, ligji ndalon birësimet për çiftet LGBTQ+ dhe ndalon shtatzënitë përmes surrogateve.

Vendimi u miratua me një diferencë të ngushtë votash, pasi disa deputetë të opozitës iu bashkuan qeverisë së kryeministrit Robert Fico. Ky i fundit e quajti votimin si “diga e madhe kundër progresivizmit”, duke shtuar se ligji mbron “vlerat tradicionale”.

Amnesty International dhe grupe të tjera të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar ndryshimin si një hap që do e bëjë më të vështirë jetën për komunitetin LGBTQ+, duke e afruar vendin me qeverinë e Orbanit në Hungari apo atë të Putinit në Rusi.

Presidenti Peter Pellegrini deklaroi se do ta firmosë amendamentin, ndërsa kritikët e shohin si një manovër të Ficos për të larguar vëmendjen nga pakënaqësitë ekonomike dhe reformat e ashpra që ka ndërmarrë.

Ndërkohë, raportimet thonë se partia e Ficos pritet të përjashtohet muajin tjetër nga Partia e Socialistëve Europianë, pas qëndrimeve të saj gjithnjë e më larg linjës progresiste.

Shkrimi i "The Guardian": Ditë e errët për Sllovakinë

Të drejtat e komunitetit LGBTQ+ në Sllovaki kanë pësuar një goditje të rëndë, pasi parlamenti miratoi një ndryshim kushtetues që njeh vetëm dy gjini, mashkull dhe femër, si dhe vështirëson thuajse plotësisht birësimin për çiftet e të njëjtit seks.

Grupet për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar këtë ditë si një “ditë të errët” për vendin dhe një hap pas drejt autoritarizmit. Aktivistët paralajmërojnë se masat e reja përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për të drejtat e njeriut dhe mund të fusin Sllovakinë në konflikt me ligjet ndërkombëtare dhe vlerat e Bashkimit Europian.

“Njerëzit janë të frikësuar, të pasigurt dhe ndihen pa zë. Janë bërë pengje të politikës,” u shpreh Martin Macko, drejtori ekzekutiv i organizatës kryesore për të drejtat LGBTQ+ në vend, Iniciatíva Inakosť.

“Kjo amendament ndalon njohjen ligjore të gjinisë, duke sulmuar drejtpërdrejt jetët e personave transgjinorë dhe interseks”, shprehet më tej ai.

Ndryshimet, të miratuara nga qeveria populiste e kryeministrit Robert Fico, vijnë në një klimë politike gjithnjë e më konservatore. Qeveria ka ndërprerë financimet publike për projektet që lidhen me LGBTQ+ dhe ka promovuar masa që e çojnë vendin drejt një modeli autoritar, të ngjashëm me atë të Rusisë apo Hungarisë.

“Ky ndryshim kushtetues na afron më shumë me Rusinë autoritare dhe mund të rrezikojë anëtarësinë e Sllovakisë në BE,” paralajmëroi Macko.

Organizatat ndërkombëtare reagojnë

Amnesty International në Sllovaki e ka quajtur ndryshimin “lajm shkatërrues”, duke theksuar se ai bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe shkel të drejtat themelore të njeriut.

“Ky është një tjetër moment i errët për Sllovakinë, që tashmë përballet me sulme të njëpasnjëshme ndaj shtetit ligjor dhe grupeve të margjinalizuara,” deklaroi drejtori i Amnesty Slovakia, Rado Sloboda.

Sipas tij, autoritetet duhet të fokusohen në sigurimin e mbrojtjes ligjore për të gjitha familjet, në barazinë në martesë dhe në të drejtat e personave trans dhe jodipolarë, përfshirë aksesin në kujdes shëndetësor dhe njohjen ligjore të gjinisë.