“BETEJA” PËR KUFIRIN/ Kryeministri i Tajlandës: Referendum për demarkacionin me Kamboxhian
Kryeministri i ri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, ka njoftuar se qeveria e tij do të propozojë një referendum për marrëveshjet e demarkacionit kufitar me Kamboxhian fqinje.
Bëhet fjalë për dy marrëveshje të viteve 2000 dhe 2001, që prej më shumë se dy dekadash kanë përcaktuar kuadrin ligjor të kufijve tokësorë dhe detarë mes dy vendeve.
Debati për kufirin është ringjallur pas përplasjeve të fundit në korrik, ku humbën jetën dhjetëra persona dhe mijëra të tjerë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.
Përshkallëzimi i tensioneve mes dy fqinjëve ka shtuar presionin mbi qeverinë e Bangkokut për të gjetur një zgjidhje të re.
Analistët paralajmërojnë se një tërheqje e njëanshme nga marrëveshjet ekzistuese, pa një plan të qartë dhe pa dakordësi me palën kamboxhiane, mund të krijojë boshllëqe ligjore dhe të ndezë konflikte të reja.
Në fjalimin e tij të parë në parlament, Charnvirakul theksoi se referendumi do t’i japë popullit një mandat të qartë për të ardhmen e kufirit, ndërsa premtoi gjithashtu reforma kushtetuese dhe zgjedhje të reja brenda katër muajsh.
