“BETEJË” PËR TRUPAT E GARDËS/ Oregoni kundër Trump. Shtëpia e Bardhë: Për rend e siguri

Oregoni ka paditur administratën Trump për vendosjen e Gardës Kombëtare në Portland, duke e cilësuar vendimin të paligjshëm dhe provokues. Shtëpia e Bardhë mbron urdhrin, duke thënë se synon të ruajë rendin dhe sigurinë

Shteti i Oregonit ka paditur zyrtarisht qeverinë federale të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, duke kundërshtuar vendimin e Presidentit Trump, për të vendosur Gardën Kombëtare në qytetin e Portlandit për një periudhë dy mujore.

Prokurori i Përgjithshëm i Oregonit, që ka ngritur padinë e e cilësoi vendimin e presidentit si "të paligjshëm, provokues dhe arbitrar", duke paralajmëruar se  një veprim të tillë rrezikon të përshkallëzojë tensionet.

Sipas urdhrit të kreut të shtëpisë së Bardhë, të paktën 200 anëtarë të Gardës Kombëtare do të vendosen në qytet dhe në objektet federale, që kanë qenë në shënjestër të protestave, përfshirë qendrat e paraburgimit të imigrantëve.

Presidenti Trump ka autorizuar përdorimin e "forcës së plotë", nëse do të jetë e nevojshme për të ndaluar protestat.

Guvernatorja e Oregonit, dhe ligjvënës të tjerë demokratë kanë kundërshtuar vendosjen e trupave federale, duke e quajtur të panevojshme dhe të motivuar politikisht.

“Portlandi nuk ka kërcënime për sigurinë kombëtare, komunitetet janë të sigurta dhe të qeta”, tha Guvernatorja në një deklaratë.

Ndërkohë, administrataTrump kanë mbrojtur vendimin, duke theksuar se ai synon të ruajë rendin dhe se kjo do të ndihmonte në mbrojtjen e "çdo objekti të ICE nën rrethim nga sulmi i Antifas dhe terroristëve të tjerë vendas, sic u shpreh presidenti.

Po ashtu, mbështetësit republikanë të presidentit e kanë parë vendosjen e gardës Kombëtare në Portland si një hap të domosdoshëm për të frenuar krimin siç kanë cilësuar ata veprimtarinë e disa grupeve protestuese.

Nga ana tjetër, Organizatat për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se vendosja e Gardës Kombëtare mund të lidhen me shkeljen e lirive bazë. Në këtë kontekst, Vendimi i gjykatës për këtë padi do të jetë vendimtar për përcaktimin e ligjshmërisë së përdorimit të Gardës Kombëtare.