Trump urdhëron dislokimin e trupave në Portland për t’u përballur me “terroristët vendas”

Presidenti Donald Trump tha dje se po zgjeron ndërhyrjet e tij ushtarake në qytetet amerikane, këtë herë duke urdhëruar dislokimin e trupave në Portland, Oregon.

Ai i udhëzoi sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth të siguronte sa më shumë ushtarë të “nevojshëm” për të mbrojtur qytetin dhe çdo strukturë të Zbatimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) të kërcënuar nga “terroristët vendas.

Si shembull, ai përmendi lëvizjen e ekstremit të majtë antifashiste Antifa, të cilën së fundmi e cilësoi si “organizatë terroriste vendase”. Trump e përshkroi Portlandin, i cili njihet gjerësisht për vlerat e tij politike progresive, si “të shkatërruar nga lufta”.

Presidenti amerikan tha se po i jepte ushtrisë autoritet të gjerë për të përdorur “forcë të plotë”, megjithëse mbetet e paqartë se çfarë nënkuptonte kjo.

Ai gjithashtu nuk specifikoi se çfarë lloje trupash do të dislokoheshin në Portland, Oregon. Portlandi e përshkruan veten si një “qytet strehë”, që do të thotë se kufizon bashkëpunimin e tij me ICE-në.

Javën e kaluar, qyteti njoftoi se do të niste hetimet ndaj një strukture të ICE-së në Portland po shkelte rregulloret duke mbajtur emigrantë për më gjatë se sa lejohej.

Në një deklaratë të premten në lidhje me dhunën e supozuar nga mbështetësit e Antifa-s, Departamenti i Sigurisë Kombëtare përmendi protestuesit në Portland të cilët kishin sulmuar vazhdimisht një strukturë të ICE-së, duke renditur disa incidente që dyshohet se kanë ndodhur në qershor.

Presidenti Trump dërgoi trupa në Los Anxheles në qershor, duke përmendur trazirat dhe rezistencën e supozuar ndaj agjentëve të ICE-së, operacionet e të cilëve kundër emigrantëve pa dokumente kanë shkaktuar shpesh protesta.

Trump gjithashtu ka vendosur trupa të Gardës Kombëtare në Uashington dhe ka njoftuar plane për dislokimin e forcave policore në Memfis, Tenesi. Ai ka kërcënuar vazhdimisht se do të dërgojë trupa të Gardës Kombëtare edhe në Çikago.

Anëtarët e Gardës Kombëtare nuk janë personel ushtarak me kohë të plotë në detyrë aktive, por një pjesë e Ushtrisë që mund të dislokohet nga qeveria federale ose nga një guvernator – shpesh për të ndihmuar me fatkeqësitë në shtete.