Rubio: Diplomacia mbetet një opsion pas rivendosjes së sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit
Pas rivendosjes së sanksioneve të OKB-së ndaj Teheranit – për shkak të programit të tij bërthamor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se mbeten të hapura për negociata të drejtpërdrejta me Iranin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha në një deklaratë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump kishte theksuar se diplomacia mbetej një opsion.
“Një marrëveshje mbetet rezultati më i mirë për popullin iranian dhe botën”, tha Rubio, duke shtuar se Irani duhej të angazhohej në bisedime me mirëbesim pa vonesa ose pengesa.
“Në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, është detyrë e partnerëve të zbatojnë menjëherë sanksione të shpejta – në mënyrë që të ushtrojnë presion mbi udhëheqësit e Iranit – që të bëjnë atë që është e drejtë për kombin e tyre dhe më e mira për sigurinë e botës”, shtoi ai.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, kohët e fundit hodhi poshtë idenë e negociatave me SHBA-në, duke akuzuar Trump për mungesë të një angazhimi serioz ndaj dialogut.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane kanë akuzuar Iranin se kërkon të ndërtojë armë bërthamore, por Teherani i ka mohuar këto pretendime.
Izraeli zhvilloi një luftë 12-ditore kundër Iranit në qershor, duke goditur objektet kryesore bërthamore në koordinim me SHBA-në.
Në muajt para konfliktit, SHBA-ja ishte përfshirë pothuajse dy muaj në negociata me Teheranin për programin e tij bërthamor – por pa arritur një rezultat.
