Kremlini ndalon eksportet e benzinës deri në vitin 2026 për shkak të sulmeve të Ukrainës në sektorin e naftës të Rusisë

Kremlini ka zgjatur deri në fund të vitit ndalimin e eksporteve të benzinës, teksa mungesat e karburantit janë përhapur në të gjitha rajonet dhe kanë çuar çmimet në nivele rekord.
Sipas Zëvendëskryeministrit Alexander Novak, masat e reja do të përfshijnë edhe ndalimin e eksporteve të naftës për kompanitë jo-prodhues, me përjashtim të dërgesave ndërqeveritare.
Kriza e karburantit është thelluar në qendër, jug dhe Lindjen e Largët të Rusisë, ku qytetarët përballen me radhë të gjata në stacionet e benzinës.
Ndërprerjet janë lidhur jo vetëm me kërkesën sezonale dhe mirëmbajtjen e rafinerive, por edhe me dëmet e shkaktuara nga sulmet e shpeshta ukrainase.
Vetëm këtë javë, dronët ukrainas kanë goditur rafineritë në Bashkortostan dhe Krasnodar.
Kievi ka konfirmuar se në dy muajt e fundit ka shënjestruar 85 objektiva të rëndësishëm në territorin rus, përfshirë 33 baza dhe aeroporte ushtarake, si dhe 52 fabrika që prodhojnë armë, municione, karburant dhe dronë.
Komandanti i Përgjithshëm Oleksandr Syrskyi tha se sulmet kanë ndërprerë rëndë logjistikën dhe furnizimin me karburant të ushtrisë ruse, duke e kthyer krizën energjetike në një problem strategjik për Kremlinin.
Sipas të dhënave të Financial Times, që nga gushti janë goditur 16 nga 38 rafineritë e naftës në Rusi, çka përbën rreth 17% të kapacitetit të saj të rafinimit, ose 1.1 milion fuçi në ditë.
Ukraina ka paralajmëruar se do të vazhdojë strategjinë e saj të sulmeve ndaj sektorit rus të naftës për të dobësuar makinën e luftës së Moskës.
