Ekstradohet nga Greqia oligarku moldav! Vladimir Plahotniuc i akuzuar për “vjedhjen e shekullit” prej 1 mld $

Ish-politikani dhe oligarku moldav Vladimir Plahotniuc u ekstradua nga Greqia në Chisinau. Ai akuzohet për përfshirje në skandalin financiar të vitit 2014, ku u zhdukën nga 3 banka 1 miliardë dollarë. Ekstradimi vjen mes tensioneve të mëdha politike dhe përplasjes së Moldavisë mes orientimit europian dhe ndikimit rus.

Vladimir Plahotniuc, ish-kryetar i Partisë Demokratike të Moldavisë dhe një nga oligarkët më të fuqishëm të vendit, u ekstradua të enjten nga Athina në Chisinau nën mbikëqyrjen e Interpolit dhe policisë moldave.

59-vjeçari, i njohur si një figurë me ndikim të madh në politikë dhe biznes, është i akuzuar si një nga protagonistët kryesorë të “vjedhjes së shekullit” – skandalit financiar të vitit 2014 ku u zhdukën 1 miliard dollarë nga tre banka moldave, një shumë që përfaqësonte mbi 10% të Prodhimit të Brendshëm bruto të vendit.

Pas mbërritjes, Plahotniuc u shoqërua drejt një qendre paraburgimi. Avokati i tij, Lucian Rogac, akuzoi qeverinë pro-evropiane të presidentes Maia Sandu se e ka kthyer procesin në “një spektakël politik pa shije” në prag të zgjedhjeve të 28 shtatorit, duke pretenduar shkelje të të drejtave themelore të klientit të tij.

Vetë Plahotniuc ka mohuar çdo akuzë dhe ka premtuar se do të provojë pafajësinë.

Presidentja Sandu, në një postim në rrjetet sociale, e quajti ekstradimin një fitore për drejtësinë: “Edhe kriminelët që dukeshin të paprekshëm nuk i shpëtojnë ligjit.” Ajo paralajmëroi se Rusia po përpiqet të minojë zgjedhjet me dezinformim dhe financime të paligjshme, duke e quajtur betejën për pavarësinë dhe të ardhmen evropiane të Moldavisë vendimtare.

Moldavia gjendet në një udhëkryq kritik: zgjedhjet e ardhshme do të përcaktojnë nëse vendi do të vazhdojë integrimin me Bashkimin Europian apo do të kthehet drejt orbitës ruse.

Zhvillimet janë ndjekur me shqetësim edhe nga jashtë. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Evropa “nuk mund të lejojë ta humbasë Moldavinë” pas përvojës me Gjeorgjinë dhe Bjellorusinë.

Nga ana tjetër, partitë pro-ruse në Chisinau akuzojnë Sandun për përdorimin e rastit për të frikësuar opozitën dhe për të ndikuar votën.

Ndërkohë, Moska e ka cilësuar procesin si ndërhyrje të Perëndimit, duke shpërndarë pretendime të pabazuara për një pushtim të mundshëm të BE-së në territorin moldav.

Ekstradimi i Plahotniuc shënon një moment të rrallë ku një figurë e konsideruar për vite si “e paprekshme” përballet drejtpërdrejt me drejtësinë, në një vend ende të ndarë mes korrupsionit të së shkuarës dhe aspiratës për një të ardhme evropiane.