Netanjahu flet në OKB, Asambleja e Përgjithshme zbrazet para fjalimit të tij (VIDEO)
Lufta në Gaza vijon prej gati dy vitesh. Forcat izraelite po i afrohen qendrës së qytetit të Gazës, të cilin Izraeli e përshkruan si “bastioni i fundit i Hamasit”. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) vlerësuan javën e kaluar se deri në 3 mijë luftëtarë të Hamasit ndodheshin në qytet.
Ndërkohë, BBC ka folur me një figurë të Hamasit, e cila pretendon se grupi militant është i gatshëm të thërrasë mijëra luftëtarë në qytet, duke rritur frikën për luftime të ashpra në zona urbane të dendura, ku ende ndodhen mijëra civilë.
Të mërkurën, spitalet lokale raportuan se më shumë se 80 palestinezë u vranë nga zjarri izraelit. Ushtria izraelite tha se kishte goditur dy luftëtarë të Hamasit dhe se numri i viktimave nuk përputhej me informacionet e saj. Gjatë 24 orëve të fundit, IDF deklaroi se kishte goditur mbi 140 objektiva të Hamasit në të gjithë Rripin e Gazës.
Në përditësimin e fundit dje, ministria e shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se 83 persona janë vrarë dhe 216 janë plagosur në 24 orët e fundit në të gjithë Rripin. Sipas saj, kjo e çon numrin total të të vrarëve që nga 7 tetori 2023 në 65,502.
