Kodi i ri Penal, zhvillohet tryeza e radhës konsultuese në Vlorë

Ministria e Drejtësisë organizoi sot në Vlorë tryezën e radhës për konsultimin publik të Kodit të ri Penal.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministria e Drejtësisë theksoi se kontributet e dhëna nga gjyqtarët, prokurorët, avokatët, noterët dhe përmbaruesit gjyqësorë kanë një vlerë të çmuar e do të reflektohen në përmirësimin e përmbajtjes së draftit.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë do të vijohet me organizimin e tryezave të tjera dhe diskutimeve të gjera publike, për të marrë ekspertizën më të mirë që duhet për një Kod Penal modern dhe sipas standardeve të Brukselit.

Për draftin e Kodit të ri Penal janë parashikuar që të zhvillohen rreth 25 tryeza konsultimi publik.

Drafti i parë i Kodit të ri Penal u paraqit më 25 korrik, pas një pune voluminoze disavjeçare nga një grup ekspertësh i udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, prof. Arben Rakipi.

Drafti u hodh për konsultim nga Ministria e Drejtësisë me aktorët e sistemit të drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, universitetet, shoqërinë civile, mediet dhe qeverinë si pjesë e angazhimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një domosdoshmëri për forcimin e Shtetit të së Drejtës.